Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, ka kritikuar ashpër veprimin e ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili u paraqit në veri të Kosovës për të hequr një bilbord ilegal me fotografitë e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe atij rus, Vladimir Putin.
Halimi e quajti këtë veprim një akt populizmi dhe spekulimi politik, dhe e pyeti se a po e lëshon rrugën për formimin e Asociacionit të komunave serbe.
“Nuk mund të shpenzosh një mandat me gjeste simbolike që nxisin nacionalizmin. Qeveria duhet të tregojë patriotizëm duke u shërbyer qytetarëve dhe duke zgjidhur problemet e tyre. Ministri i Brendshëm nuk bën dot asgjë për bilbordat në veri, përveçse të bëjë një video për Facebook. Kjo është një punë për institucionet kompetente”, shkroi Halimi në një postim në rrjetin social.
“Ai që u bë ministër me parulla, duhet të ketë propozime politike për çështjet politike. Kjo parti është e mbushur me popullistë, prandaj mos po e hap rrugën për Asociacionin, duke u bërë sikur heq bilbordat?!”, shtoi ajo.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, së bashku me ministrin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë shkuar sot në Zveçan, ku kanë ndjekur heqjen e bilbordit me fotografitë e Vuçiqit, Putinit dhe Gjuriqit, dhe kanë bërë një video për mediat. (politiko.mk)