Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi ka përgëzuar anëtarësinë e Bashkimit Demokratik për Integrim për mbarëvajtjen e qetë dhe demokratike të zgjedhjeve brendapartiake në 14 degë dhe në të gjitha këshillat vendorë që janë pjesë përbërëse e tyre.
“Ju uroj mbarësi në shërbim të nevojave të qytetarëve të gjithë kryetarëve dhe anëtarëve të zgjedhur të degëve dhe të këshillave vendorë, ndërsa kandidatët pjesëmarrës i përgëzoj për fushatën dinjitoze”, shkroi fillimisht Grubi.
Shtoi se misioni drejt horizontit të zhvillimit, jetës më cilësore dhe integrimit europian është obligim dhe amanet i përbashkët dhe sipas Grubit fitues të kësaj gare janë të gjithë.
“Një vatër e konsoliduar demokratike, me potencial kadrovik dhe programor konform kërkesave të kohës, padyshim se do të vazhdojë të jetë afirmuese e ideologjive progresive, partneritetit euro-atlantik dhe ardhmërisë europiane”, përfundoi Grubi.
Kujtojmë, dje Bashkimi Demokratik për Integrim organizoi zgjedhje brendapartiake në 14 degë.