Nga Ministria e Punëve të Jashtme në Maqedoninë e Veriut kanë konfirmuar se në aksidentin e sotëm në rrugën Elbasan-Peqin në Shqipëri ka ndërruar jetë një fëmijë 8 vjeç nga Gostivari. Nga MPJ shtojnë se dy personat tjerë në veturën e aksidentuar me targa të Gostivarit janë jashtë rrezikut për jetë.
Agjencia e lajmeve Flaka mëson që vetura e aksidentuar me targa të Gostivari drejtohej nga profesoresha e sociologjisë, Trëndëlina Deari e cila në momentet e aksidentit në veturë ndodhej me dy vajzat, njëra nga të cilat humbi jetë në vendin e ngjarjes.
“Më 17 qershor, në magjistralen Elbasan-Peqin, Republika e Shqipërisë, ka ndodhur aksident i rëndë trafiku, ku ka humbur jetën fëmija 8 vjeçar, A. K. nga Gostivari, shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa dy bashkëudhëtarët, T. D. dhe R.K. janë jashtë rrezikut për jetë dhe janë duke u trajtuar në spitalin lokal në Elbasan” njoftuan nga Ministria e Punëve të Jashtme në Maqedoninë e Veriut.
Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Tiranë është në komunikim me institucionet kompetente të Shqipërisë dhe familjen e fëmijës së ndjerë dhe janë vënë në dispozicion për ndihmë lidhur me bartjen e trupit të pajetë nga Shqipëria. Flaka