Hyrja e Aleancës për Shqiptarët në këtë përbërje qeveritare shkon në drejtim të krijimit të frontit pro-evropian që do të përfshijë të gjitha palët që janë të pakushtëzuara për fillimin e negociatave me BE-në, konstaton politikologu Blagojçe Atanasoski, duke komentuar iniciativë e liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) – Ali Ahmeti për fuqizimin e mëtejmë të “Frontit për Europë” me të gjitha forcat pro-evropiane dhe pro-amerikane në vend.
“Ndoshta qëllimi është izolimi i VMRO-DPMNE-së dhe Levicës, si dy parti parlamentare që nuk pajtohen me propozimin francez dhe hyrjen e bullgarëve në Kushtetutë. Megjithatë, mbetet për t’u parë, sepse një bllok kaq i gjerë do të jetë i vështirë për t’u menaxhuar për shkak të rishpërndarjes së mandateve, portofoleve dhe funksioneve parlamentare. Shumë parti, shumë orekse politike. Dhe sigurisht gjëja më e rëndësishme është nëse faktorët e huaj me ndikim perëndimor, e iniciojnë fillimisht një front të tillë dhe së dyti, e mbështesin publikisht si garantues të tij”, deklaroi Atanasosi për Politiko.makdomen.net
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti nga tubimi “Bashkë por Europë” me qytetarë dhe bazën partiake në Çair të Shkupit, deklaroi se misioni i tij dhe partisë që drejton ai është për bashkim.
“Në vitin 2001 më thoshin po çka të duhet Arbën Xhaferi e Ymer Ymeri? Jo, na duheshin sepse neve na duhej bashkim dhe unitet më shumë se kurrë. Kemi tejkaluar veten për shumë çështje, sepse uniteti të bën të rëndësishëm, sepse ne kemi përgjegjësi morale e kombëtare që shqiptarët të jenë aty ku e meritojnë. Ne nuk vijmë nga kancelaritë e as ekranet televizive, por vijmë nga ushtritë e lufta, për të përmbysur një sistem të vjetër e për të vendosur sistemin e barazisë. Frontit për Europë nuk duhet t’i frikësohet askush”, theksoi Ahmeti.
Në anën tjetër, shefi i diplomacisë Bujar Osmani në emisionin “Click-Plus” në Tv 21 tha se VMRO-DPMNE-ja duhet të ndryshojë qasjen, pasi siç tha, politika anti-evropiane ishte shkak që humbi edhe partnerin e vetëm te shqiptarët, Aleancën për Shqiptarët.
“Pikërisht, për shkak të këtij pozicionimi dhe mosqartësimi për shtyllat e shtetit, e humbi edhe partnerin strategjik te shqiptarët. Nuk ka Qeveri pa partneritet mes dy komuniteteve”, tha Osmani.(Politiko.makdomen.net)