Mesazhet pozitive dhe optimiste, që pritet të dalin nga ky Samit, do të tentojnë të mbajnë të gjallë idenë evropiane në një kohë kur integrimi i Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE duket ende i largët.
Shkruan: Xhelal Neziri
Sot është 9 Maji – Dita e Evropës. Kjo ditë shënon fillimin e ndërtimit të Bashkimit Evropian (BE) me miratimin e Deklaratës së Shumanit. Ky dokument u paraqit nga Ministri i Jashtëm Francez Robert Schuman më 9 maj 1950. Ai propozoi krijimin e një Komuniteti Evropian të Qymyrit dhe Çelikut, anëtarët e të cilit do të grumbullonin prodhimin e qymyrit dhe çelikut. Ky Komunitet Evropian kishte si anëtarë themelues Francën, Gjermaninë Perëndimore, Italinë, Holandën, Belgjikën dhe Luksemburgun. Komuniteti ishte i pari nga një seri institucionesh mbikombëtare evropiane që përfundimisht do të bëheshin “Bashkimi Evropian” i sotëm. Ky moment kishte ndodhur në kohën kur kombet e Evropës po luftonin akoma për të kapërcyer shkatërrimin e bërë nga Lufta e Dytë Botërore, e cila kishte përfunduar vetëm 5 vjet më herët, pra më 1945.
Vitin e kaluar, pra plot 72 vite më pas, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, riaktualizoi idenë e Komitetit në një kohë kur kemi një BE funksionale, por të lodhur nga zgjerimi. Pas idesë për ndryshimin e metodologjisë së negociatave për anëtarësim në BE, e propozuar më 2019 dhe e miratuar një vit më pas, Macron propozoi Komitetin me qëllim të unifikojë Evropën derisa nuk ndodh zgjerimi.
Macron e shpalosi disi papritur idenë e krijimit të Komunitetit Politik Evropian (KPE) pasi shtetet tjera nuk kishin asnjë detal tjetër. Në fjalimin e tij më 9 maj të vitit 2022 në Konferencën e Strasburgut, Macron dha vetëm një pjesë të vizionit të tij se si duhet të duket ky bashkim i madh evropian.
Ai tha se Bashkimi Evropian në kuadër të ambicieve dhe nivelit të tashëm të integrimit nuk mund të jetë e vetmja mënyrë që mund të strukturojë Evropën. Macron përmendi vendet e Ballkanit Perëndimor, që janë kyçur në procesin integrues por nuk dihet se kur do të jenë anëtarë të plotë të BE-së. Sipas tij, BE-ja ka nevojë që në këtë kontekst gjeopolitik të gjejë mënyrë që ta shohë Evropën të unifikuar dhe stabile, pa mos e bërë intimitetin brenda BE-së më të thyeshëm. Macron theksoi se liderët e BE-së kanë detyrë historike tani të hapin një proces historik të reflektimit, duke marrë parasysh ngjarjet që ndodhin në kontinentin Evropian.
Në këtë fjalim, presidenti francez theksoi se familja evropiane e vlerave të përbashkëta u braktis nga Rusia. Ka qenë pikërisht Franca që për një kohë të gjatë e ka parë edhe Rusinë një anëtare të ardhshme të BE-së. Këtë e ka theksuar disa herë edhe ish-presidenti francez, Fransoa Miteran, i cili në fillim të viteve të 90-ta e shihte Bashkimin Evropian (BE) si një federatë shtetesh nacionale, ku do të integrohej edhe Rusia.
Megjithatë, tri dekada më pas, Macron shpall shkëputjen me Rusinë dhe ridormatimin e Evropës në mënyrë politike. Sipas tij, Komuniteti Politik Evropian do të ishte një organizatë e re evropiane që do të mundësonte kombet demokratike evropiane, që ndajnë vlerat e përbashkëta, të gjejnë një hapësirë të re të bashkëpunimit.
Ky fjalim, sidoqoftë, nuk u përgjigj në të gjitha pyetjet dhe dilemat që ekzistojnë brenda BE-së dhe brenda vendeve aspirantë. Në kuadër të BE-së ka kohë që mendohet se si të ndryshohet procesi i vendimmarrjes me qëllim të krijimit të së ashtuquajturës “Union me dy shpejtësi”. Kjo ide, të cilën fillimisht e paraqiti ish-kabcelarja gjermane Angela Merkel, u përqafua në një farë mënyre edhe nga ana e kancelarit aktual Olaf Scholz. Për dalim nga Franca, Gjermania preferon një Union të një kontinenti të tërë, ku vendimet do të merreshin me shumicë votash, e jo me koncensus, siç është tani. Kjo ide, të cilën Sholz e elaboroi kah fundi i muajit gusht të vitit 2022 në Pragë, nuk u pëlqeu shumë vendeve anëtare të Evropës Qendrore. Dilemat e tyre buronin nga frika se një ndryshim i tillë i sistemit të vendimmarrjes në kuadër të BE-së do të prodhonte diskriminim për vendet ekonomikisht më të dobëta, për shkak të pamundësisë së tyre të lobojnë në marrjen e vendimeve të caktuara.
Ndryshe nga propozimi i Sholzit, ideja e Macronit për KPE ka për qëllim unifikimin e Evropës, pa mos e shtyrë përpara zgjerimin e BE-së. Edhe këtu është i njëjti shqetësim – rëndësia e njëjtë e votave të shteteve dhe fuqia e tyre për të bllokuar vendime të caktuara strategjike të BE-së. Njëkohësisht, është edhe e njëjta urgjencë – unifikimi dhe ngjeshja e Evropës në një periudhë të rrezikut nga ndikimet keqdashëse ruse dhe kineze me qëllim të ruajtjes së sistemit të përbashkët të vlerave.
Kriza e refugjatëve, pandemia e koronavirusit dhe së fundmi agresioni rus në Ukrainë, e ka bërë idenë e ombrellës së gjerë evropiane të domosdoshme, nëse BE do të dëshirojë të bëhet më e mbrojtur nga zhvillimet që ndodhin në kufijtë e saj.
Vizioni i Macronit mori përgjigje pozitive fillimisht nga Gjermania, e më pastaj edhe nga vendet tjera të Bashkimit Evropian. Konferenca e parë e formatit të këtij Komuniteti, i cili numëron 44 shtete, 17 më shumë se sa aktualisht ka Bashkimi Evropian, u mbajt në tetor të vitit 2022, vetëm pas pesë muajve nga promovimi i parë në konferencën e Strasburgut. Krerët e Turqisë, Ukrainës, Moldavisë, Gjeorgjisë dhe të Ballkanit Perëndimor e cilësuan këtë si një ide të mirë, që përshpejton anëtarësimin e plotë në BE. Edhe Mbretëria e Bashkuar, e cila në vitin 2016 e braktisi BE-në, tash e sheh Komunitetin Politik Evropian si një ide që duhet marrë parasysh.
A mund Komuniteti Politik Evropian të mbushë boshllëkun gjeopolitik që la pas ngecja dhjetëvjeçare e integrimit të Ballkanit Perëndimor?
Kjo ide, në fakt, është e vjetër sa edhe vetë Bashkimi Evropian. Është propozuar në vitin 1952 si një union i Komunitetit Evropian të Thëngjillit dhe Çelikut dhe të Komunitetit të Mbrojtjes Evropiane. Ishte parashikuar si një konfederatë shtetesh evropiane. Dy vite më pas, pra më 1954, Franca nuk miratoi traktatin për formimin e Komunitetit të Mbrojtjes Evropiane, gjë që solli në braktisjen edhe të projektit të Komunitetit Politik Evropian. 70-vite më pas është sërish Franca që e ringjall idenë, por në një format më ndryshe.
Takimi i parë në Pragë i liderëve të KPE-së nuk solli ndonjë vendim të rëndëdishëm, përveç optimizmit të vendeve pjesëmarrëse se do të jenë solidarë midis tyre. Përveç rrezikut të sigurisë, agresioni i Rusisë në Ukrainë ka goditur edhe ekonomitë e vendeve të Evropës.
Një vit pas promovimit të idesë së KPE gjërat nuk kanë lëvizur edhe aq shpejt në drejtim të integrimit të Evropës si një tërësi. Samiti i radhës i Komunitetit do të mbahet në Kishinau të Moldavisë, shtet i cili shumë më vonë se vendet tjera post-komuniste ka bërë tranzicionin demokratik. Mesazhet pozitive dhe optimiste, që pritet të dalin nga ky Samit, do të tentojnë të mbajnë të gjallë idenë evropiane në një kohë kur integrimi i Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE duket ende i largët.