Pezullimin e përkohshëm të punës së të gjitha grupeve punuese të MSA-së nga BE-ja, po e konsiderojnë të dëmshme për institucionet e vendit dy partitë më të mëdha opozitare, PDK e LDK.
Sipas tyre me pezullimin e kësaj marrëveshje Kosova do ketë prolongim të agjendës integruese në BE.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka thënë se me MSA-në, Kosova ka për obligim që të gjitha ligjet të cilat lidhen me direktivat e BE-së t’i trajtojë me prioritet.
Sipas saj, me vetë faktin që Kosova tani është pezulluar nga takimet e MSA-së vendi do të ketë prolongim të agjendës integruese.
“Kosova me faktin që është në marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian krahas angazhimeve që i ka, ka edhe një plan të veprimit për të zbatuar planin kombëtar, Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit që nënkupton se të gjitha ligjet të cilat lidhen me direktivat e BE-së kemi për obligim që ti japim prioritet e t’i trajtojmë si Kuvend. Me këtë rast edhe ne si deputetë kemi qenë shumë të zëshëm që të kalohen të gjitha kërkesat të cilat i ka BE- ja në raport me ecjen e Kosovës”.
“Fakti që Kosova tani është pezulluar nga takimet e MSA-së natyrisht që do të ketë edhe prolongim të agjendës sonë integruese si Kosovë, sepse në takimet që i ka BE-ja tashmë Kosova nuk do të jetë pjesë dhe si pasojë në do ta ndjejmë edhe masën e sanksioneve të cilat BE i ka vendosur karshi Kosovës për shkak të situatës të cilën qeveria e ka vendosur vendin dhe kjo bije ndeshe edhe me perspektiven tonë evropiane, por mbi të gjitha edhe prolongon angazhimin tonë si shtet për t’u përafruar me BE-në”, tha ajo për EO, transmeton Klankosova.tv.
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se pezullimi i MSA-së është defekti më i madh që ka mundur t’i bëjë institucioneve të Kosovës e legjislacionit.
“Kjo ka impakt tepër negativ edhe në integrimet evropiane por edhe në integrimet euroatlantike. Mbi të gjitha është kthim mbrapa e ai kthim mbrapa është vite të tëra ku Kosova ka arritur që së paku ta ketë marrëveshjen e parë kontraktule me BE-në siç është Marrëveshja e Stabilizim Asociimit”, tha Zemaj.
Ai tha se ligjet duhet që të jenë në harmoni me direktivat e BE-së dhe tani me pezullimin e MSA-së, kur nuk do të ketë përgjigje nga institucionet e BE-së atëherë ato mbetën të pavlefshme.
“Neve nuk mund të na ndalojë askush që ato të jenë në harmoni me direktivat, por në momentin kur nuk ke përgjigje nga institucionet e BE-së në Kosovë, atëherë ato mbetën të pavlefshme sepse nuk janë në koordinim dhe në harmoni me agjendën e tyre. E agjenda e tyre është e përqafuar nga Republika e Kosovës ose nga pjesa demokratike e saj, nëse pjesa tjetër jo demokratike ose ka ndonjë ideologji tjetër me ndonjë orientim jashtë agjendës së BE-së atëherë këtë duhet ta thotë kryeministri Kurti edhe vetë shumica parlamentare”, tha ai.