Thyerja e shtizave mes Rusisë dhe “Perëndimit”, sërish, në një pjesë të konsiderueshme, bëhet përmes Ballkanit, kështu shkruan në shkrimin e tij autorial për Dojçe Vele në gjuhën maqedonase, analisti politik Petar Arsovski, përcjell Indeks.mk
Sipas tij, në përpjekje për të stabilizuar rajonin, për të parandaluar përshkallëzimin dhe problemet e mëtejshme, NATO dhe BE janë në një përpjekje (relativisht) të koordinuara për të përshpejtuar integrimin evropian të vendeve kandidate.
“Deri më tani, integrimi ynë evropian ishte vetëm çështje e së ardhmes sonë dhe një interes strategjik parimor ndërkombëtar, por tani është edhe çështje e sigurisë – këtu nuk ka doreza. Prandaj, të mos e gënjejmë veten se dikush do të na kuptojë ose do të na dorëzohet. Për BE-në, nga ana tjetër, kjo është një mundësi për një përparim drejt integrimeve evropiane, të cilat kanë ngecur në introspeksionin e vetë Evropës për një kohë të gjatë. Përshkallëzimi i kësaj teme në një nivel sigurie është një mundësi për ta përshpejtuar atë rrugë, pa u shikuar shumë në detaje – që për ne, duke ditur kapacitetin tonë të ofrimit, është një lajm jashtëzakonisht i mirë. Prandaj, ne nuk e kemi luksin t’i qasemi kësaj mundësie në mënyrë lakonike apo me kalkulime të vogla lokale-politike”, shkruan mes tjerash Arsoski, përcjell Indeks.mk
Për më tepër, shkruan ai mëtej, është naive të presësh një propozim më të mirë evropian, një kornizë të ndryshme apo ndonjë përmirësim të kushteve të anëtarësimit në të ardhmen, pavarësisht rritjes së interesit të BE-së për rajonin.
“Në këtë fazë, unë besoj se e vetmja mundësi për të rinegociuar Kornizën Negociuese është përfundimi i njëanshëm i negociatave (që mendoj se do të ishte një lojë me përmasa epike), por disa thonë se kuadri mund të ndryshohet pa një hap kaq radikal. Por çfarë lidhje ka me këtë? Korniza, nëse ndryshon, nuk do të hapet vetëm për vërejtjet tona, por automatikisht dhe për kërkesat e reja nga Bullgaria. Duke marrë parasysh se sa e vështirë ishte për ne të arrijmë këtë zgjidhje, kam frikë se rihapja e kësaj pakete do të ishte vetëm një justifikim i ri i përsosur për Bullgarinë që të na bllokonte përsëri. Për më tepër, korniza nuk është një raft supermarketi: kjo më pëlqen dhe do ta marr, por jo kjo. Është pikërisht një paketë zgjidhjesh, disa të ëmbla, disa të hidhura, për të gjitha palët. Që andej, shmangia e një detyrimi (siç janë ndryshimet në Kushtetutë) sigurisht që do të sjellë një kundërkoncesion të ri, i cili mund të jetë edhe më i vështirë, sepse zgjidhja duhet të jetë e balancuar. Prandaj, nuk duhet të ushqejmë asnjë iluzion se refuzimi i kësaj pakete do të rezultonte në një ofertë më të mirë”, nënvizon Petar Arsovski, analist politik.(Indeks.mk)