Do të duhej të ishte ashtu si thotë Kurti, se Kosova është shtet normal, por përderisa nuk është i pranuar në OKB, edhe për kohë të gjatë, nuk do të jetë dhe veprimet e veta nuk duhet t’i gjejnë në befasi ata faktorë që janë garantë të sigurisë…
Nga Daut DAUTI
Eh, sikur gjërat të ishin aq të thjeshta, s’do të kishte vend për brengosje. Një analist politik nga Shqipëria, në stilin të japësh përgjigje por të mos lëndosh askënd, këtë çështjen e urës së Mitrovicës e kishte shpjeguar shumë thjeshtë. Ashtu siç do të donin të dëgjonin ithtarët e LVV-së, por dhe ne të gjithë shqiptarët që duam çështja të marrë fund në të mirë të Kosovës. Ai thotë se me vendimin për hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë, Kurti i ve ndërkombëtarët para aktit të kryer, gjë kjo që qenka mirë edhe për Kosovën edhe për ndërkombëtarët!!! Duke e marrë si ‘të kryer” këtë akt, ata një kohë do të arsyetohen se nuk pajtohen, porse në fund do ta pranojnë si fakt….
Ishalla është kështu si thotë analisti. Edhe një tjetër analist, kosovar, i njohur për qëndrimet kritike ndaj Albin Kurtit, ndër tezat e mundshme se çka qëndron te vendimi “i pakoordinuar” me BE-në, SHBA-të, NATO-n, KFOR-in, supozon dhe kështu do të besojë, se ka ndonjë sinjal aprovues prej tyre që ta bëjë këtë. Ai vetë nuk beson, por dëshiron që të jetë e vërtetë, sepse gjithçka që mund të jetë bërë edhe prapa perde e që është në të mirë të Kosovës, ani, le të bëhet…Dhe shton edhe diçka tjetër: nëse Albin Kurti ia arrin që t’i realizojë qëllimet edhe duke shkuar kundër vullnetit të bashkësisë ndërkombëtare, do t’i kërkojë falje publike për gjitha kritikat irrituese të deritashme dhe për gjitha atë mosbesim të shprehur ndaj tij.
Përderisa të gjitha këto janë mbuluar me një mjegullnajë, njeriu i rëndomtë do të vazhdojë të ekzaltohet nga këto veprime të Qeverisë së Kosovës, të cilat po marrin përkrahje të parezervë që nga menaxhimi i suksesshëm me grupin e Radojçiqit. Zaten, duket se edhe vetë Kurti është i trimëruar nga ky sukses, sepse ishte një fitore jo vetëm policore ndaj një grupi terrorist, por dhe një kapital i madh politik për t’ia hequr maskën Serbisë, e cila edhe pse qartazi thoshte se nuk i zbaton marrëveshjet e arritura, prapë se prapë gëzonte një lloj përkrahje nga BE dhe SHBA.
Pas disa masave të pareshtura të Qeverisë së Kurtit që i gjetën në befasi ndërkombëtarët, sikur Kurti e ktheu pozitën e Kosovës ku ishte më parë, në shënjestrën e bashkësisë ndërkombëtare. Por ai nuk pajtohet se bën diçka kundër vullnetit të tyre, aq më pak, hapja e një ure mund të jetë kundër. Dhe ai këto ditë, tha dhe diçka që duket aq normale, e prapë në këtë kontekst jonormal që krijojnë veprimet edhe kur ato janë të drejta: “Hapja e urës s’është kundër askujt, aq më pak partnerëve tanë. Kosova është shtet normal dhe urat e saj duhet të jenë normale, që do të thotë të hapura”.
Kjo se Kosova është shtet normal, mbase është në mënyrën (gramatikore) dëshirore, e jo si fakt, përderisa zhvillohen gjithë këto bisedime për ta rrumbullakësuar disi shtetësinë. Përderisa nuk është i rrumbullakësuar, është bukur të thuash se është shtet normal, por nuk është ashtu. Nuk ishte normal as kur ai ishte opozitë, sikundër që këtë normalitet ia cenonte edhe veprimi jonormal i LVV-së, e cila sulej ndaj institucioneve të Kosovës sikur ato të ishin të Serbisë…Por, ja fati e deshi t’i merr frerët në dorë pikërisht ai që mohonte e kontestonte gjithçka që mund të konsiderohej si proces të ndërtimit të shtetit dhe mënyrën se si i drejton çështjet, ua dëshmon dyshimet skeptikëve. Edhe kur e thotë atë që duket shumë normale si përshkrim për urat që duhet të jenë normale, pra dhe të hapura, nuk mund të mos e vërejmë ironinë që u adresohet atyre që e kontestojnë këtë masë, që natyrisht, nuk mund të mos jetë normale ta hapësh një urë pas 25 vjetësh mbyllje të panatyrshme. Dhe në prapavijë të kësaj, kuptohet, është konteksti se mbajtja e mbyllur për qarkullim, vetëm se u shërben atyre elementeve destabilizues që u panë se kush janë gjatë gjithë këtyre viteve.
Mirëpo, nga disa urtësi nuk mund të ikim. Kur të thonë dy-tri veta se je i dehur, mbaju për gardhi. Ndonëse Albini nuk shquhet si disa politikanë të tjerë që janë të prirë nga alkooli, te fjala e urtë dhe nuk ka të bëjë fort me alkoolin, sepse porosia është e qartë se për çka. Këtu kur i thonë Albinit edhe SHBA, edhe BE, edhe të tjerët kadale, mos u ngut, se në këtë gjendje jonormale në botë dhe Ballkan, po na fut një therë tjetër në këmbë, ose se ti i han kumbullat e tharta, e ne po na mpihen dhëmbët, vazhdimi me kokëfortësi të bësh veprime të pakoordinuara, nëse siç u tha në fillim, nuk ka ndonjë komunikim të msheftë që do të donim të jetë e vërtetë, atëherë duhet dhe Albini të kapet për druri që të mos rrëzohet. Se rrëzohet ai, edhe nuk është ndonjë “incident” i madh, por mos të ndodhë diçka si në Avganistan, kur Amerika investoi më shumë se 2000 miliardë dollarë në luftë kundër talebanëve, në fund u tërhoq dhe talebanët i ke në Kabull këmbëkryq!
Pastaj do të jetë krejtësisht e parëndësishme se veprimet që janë ndërmarrë kanë qenë të drejta, nëse dëmi është i pariparueshëm. Iluzioni që ka mbjellë frymëzimi se policia e Kosovës është e gatshme për çdo sfidë, që do të thotë edhe pa ndërkombëtarët, është vërtet i rrezikshëm, përtej çdo naiviteti…Të shpresojmë se nuk e ka Albin Kurti me ironi kur thotë: “Qeveria dhe unë besojmë se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit në njërën anë dhe paqja e siguria në anën tjetër janë të mundura bashkë dhe të duhura për vendin, shoqërinë dhe shtetin, qytetarët dhe komunitetet. Do të vazhdojmë diskutimet dhe koordinimin me partnerët tanë”.
Si ishte ajo fjala popullore “nëse ka mbërri në kojshi, prite në shtëpi!” Po, por për kohën moderne, Ukraina u kujdes që ta kthejë mbrapshtë këtë fjalë të urtë. Nëse arusha ka luajtur në oborrin tënd dhe ka ardhur nga kojshia, ti atëherë ktheja arushën kojshisë në oborrin e tij!
Pas mossuksesit të kundërofensivës së paralajmëruar në mënyrë naive(naive, sepse ofensivat mbahen sekret, e jo të shpallen publikisht!), Ukraina këto befasoi gjithë botën duke u futur në rajonin kufitar rus të Kurskut. Pas disa përpjekjeve sporadike me sulme raktore ose dronë, kjo është hera e parë që Ukraina depërton me ushtri në territorin rus, duke e gjetur të pambrojtur dhe duke e zënë në gjumë edhe Kremlinin zyrtar, ku Putini sa s’ka dalë nga lëkura e tij gjithë vrer, për këtë dështim të të gjitha forcave ushtarake e shërbimeve inteligjente që nuk e parandaluan këtë.
Zelenski këtë veprim e quajti si diçka që ushtria ukrainase dëshmoi se di të bëjë veprime befasuese, Amerika ngre dorë nga çdo supozim se ka qenë në dijeni, Britania i jep leje Ukrainës t’i përdorë armët që ia ka dërguar, kurse Putini kërcënohet se kjo do t’i kushtojë shtrenjtë Ukrainës.
Marrë realisht, ky sukses që ka për qëllim të vë një farë baraspeshe midis territorit të okupuar nga Rusia që do të shërbente për bisedimet e paqes kurdoqofshin ato, pas efektit mediatik me shumë elemente poshtëruese për Rusinë, edhe mund të mos përfundojë aq mirë për Ukrainën, sepse është e pabesueshme se mund ta mbajnë të pushtuar për më gjatë një territor brenda kufirit të Rusisë dhe vetëm mund të shtojë gjasën për veprime radikale nga Moska (ajo dhe përdori diçka të tillë), por si një episod interesant i konfliktit, dhe një veprim taktik befasues, do të mbetet për analizë.