“Borrell dhe Lajçak do të mbajnë takime të ndara me Kurtin dhe Vuçiqin dhe pastaj do të pasojë takimi i përbashkët, i cili është cilësuar si trilateral apo trepalësh me siguri për shkak se UE zotohet të marrë obligimin e mbikqyrjes së marrëveshjes. Në takimet e ditëve të fundit të Lajçakut në Prishtinë dhe Beograd me kryenegociatorët, poashtu është bërë me dije se palët në Ohër duhet të pajtohen për Aneksin e Implementimit të Marrveshjes”.
Kështu thotë mes tjerash në një intervistë për portalin Politiko.makdomen.net, ish-zëdhënësi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, publicisti Daut Dauti, duke komentuar takimin e së shtunës mes Albin Kurtit dhe Aleksansdër Vuçiçit që do të mbahet të shtunën në Ohër.
Ai në intervistë thotë se simbolika e Ohrit ekziston gjithësesi, pasi që siç shprehet Ohri është edhe vend që konsiderohet si neutral dhe praktik.
“Simbolika e Ohrit ekziston gjithësesi. Marrëvesha e Ohrit e vitit 2001 mes shqiptarëve dhe maqedonëve, merret si sukses”, nënvizon Dauti.
Daut Dauti është i njohur për punimet e tij publicistike në shtypin kosovar dhe më gjerë që nga vitet 80-të, ndërkaq duke jetuar në Londër prej vitesh, ka gjurmuar nëpër arkivat britanike dhe ka shkruar disa vepra shumë me rëndësi për ngjarjet e kohës, sidomos nga fundi i Perandorisë Osmane dhe krijimi i shteteve të reja në Ballkan, ku çështja shqiptare ishte lënë pasdore, ose ishte imponuar zgjidhje e padrejtë.
Politiko.makdomen.net: Çka mund të pritet të shtunën në takimin e radhës midis Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiqit? A mendoni se ata i kanë tejkaluar pengesat e deritashme për ta vënë nënshkrimin?
Daut Dauti: Ajo që mund të pritet në takimin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit, përafërsisht dihet pasi që është bërë me dije nga paralajmërimi i të dy palëve negociuse dhe asaj ndërmjetësuese – Unionit Evropian (UE). Dihet mënyra se si do të zhvillohet takimi. Borrell dhe Lajçak do të mbajnë takime të ndara me Kurtin dhe Vuçiqin dhe pastaj do të pasojë takimi i përbashkët, i cili është cilësuar si trilateral apo trepalësh me siguri për shkak se UE zotohet të marrë obligimin e mbikqyrjes së marrëveshjes. Në takimet e ditëve të fundit të Lajçakut në Prishtinë dhe Beograd me kryenegociatorët, poashtu është bërë me dije se palët në Ohër duhet të pajtohen për Aneksin e Implementimit të Marrëveshjes.
Këtu mund të ketë probleme pasi që Aneksi, që përmban mënyrën e implementimit, është çështja kryesore e Marrëveshjes. Gjasat që të dy palët ta shohin dhe interpretojnë njësoj mënyrën e implementimit, janë të vogla, e cila gjë mund të shkaktojë probleme të nënshkrimit. Por, Lajçak ka bërë me dije se palët duhet patjetër të pajtohen për Aneksin pasi që ndryshe marrveshja nuk do të prodhojë pasoja obligative. Pengesa për nënshkrimin nuk duhet të ketë për shkak se këtë gjë nuk e kanë paralajmëruar palët. Megjithatë, sërish, sikur herën e kaluar në Bruksel, mund të mos ketë nënshkrim nëse palët pajtohen. Një mënyrë e tillë është e njohur në marrëdhëniet ndërkombetare pasi që marrveshja është vazhduese dhe finalizimi i saj është momenti i pajtimit të detajeve rreth implementimit. Pra, takimi i Ohrit nuk është i fundit.
Politiko.makdomen.net: A mendoni se ka një simbolikë Ohri që BE e zgjodhi zi vend për këtë takim, duke kujtuar se pikërisht në Ohër në gusht të vitit 2001 ishte arritur marrëveshja e njohur e Ohrit që i dha fund një konflikti disa mujor në Maqedoni?
Daut Dauti: Simbolika e Ohrit ekziston gjithësesi. Marrëvesha e Ohrit e vitit 2001 mes shqiptarëve dhe maqedonëve, merret si sukses. Ohri është edhe vend që konsiderohet si neutral dhe praktik. Prandaj, edhe i pranueshëm për të dy palët. Në fakt kjo gjë është bërë me dije së pari nga presidenti serb, të cilën nuk e ka kundërshtuar kryeministri i Kosovës.
Politiko.makdomen.net: A ka gjëra të panjohura Marrëveshja Franko-Gjermane? SHBA-të dhe BE-ja thonë se Asociacioni I komunave me shumicë serbe nuk ka ingerenca ekzekutive? A mjafton kjo si garancë?
Daut Dauti: Nga propozimi i planit franko-gjerman nuk duket se ka diçka të panjohur apo të fshehur. Nëse ka, atëherë është sukses i të dy palëve që kanë arritë të mbajnë diçka të mbyllur. Nuk do të duhej të kishte befasi nëse ka, për shkak se marrëveshjet shpesh përmbajnë detaje që publiku i zbulon pas fazës së arritjes së pajtimit apo nënshkrimit. Asociacioni nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive dhe një gjë të tillë e kanë bërë me dije politikanët dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Se cilat do të jenë kompetencat e asociacionit është problemi kryesor i marrëveshjes që e përmban neni 9 i saj.
Pala serbe do ta kërkojë një kompetencë sa më të madhe kurse ajo e Kosovës sa më të vogël. Por, këto janë punë që do të ndodhin pas arritjes së marrëveshjes në Ohër. Janë detaje të rëndësishme. Në gjuhën juridiko-politike të anglo-saksonëve është një shprehje që thotë:’djalli rri në detaje’.
Sidoqoftë, duhet ta kemi parasysh faktin që e kjemi të njohur nga përvoja, Serbia nuk priton të nënshkruaj marrëveshje pasi që nuk i zbaton ato. Është diçka tejet ‘normale’ të ndodhë kjo gjë sërish. Natyrisht, nëse ndaj saj nuk ka presion ndërkombëtar, siç nuk ka patur deri sot.
Politiko.makdomen.net: Si e shikoni “zbutjen” e qëndrimeve të Albin Kurtit kundrejt qëndrimeve që I ka pasur si opozitar lidhur me këto çështje të dialogut, apo mund të jetë vetëm një lëvizje takike për të mos e bllokuar procesin dhe për të mos u akuzuar ai si fajtor për këtë?
Daut Dauti: Ajo që është duke ndodhur me Albin Kurtin në politikë, ndodhë më shumë se shpesh dhe gati në secilin vend. Në opozitë politikanët janë të lirë të ofrojnë premtime sa të duan. Por, kur vijnë në pushtet e shohin se disa premtime kanë qenë të mëdha dhe nuk realizohen. Udhëheqja e shtetit kërkon prakticitet d.m.th. realizim të politikës që ofrojnë rrethanat dhe kushtet. Pra, politikanët në pushtet e bëjnë atë që mund ta bëjnë dhe kjo gjë nuk është domosdoshmërisht në pajtim me vullnetin e tyre.
Politiko.makdomen.net: Njohja pa njohje, është reale apo edhe kjo si një zgjidhje kalimtare që njohja të vijë në ndonjë periudhë të ardhme?
Daut Dauti: Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia do të ishte fundi i problemit. Por, kjo nuk ndodhë në një të afërme të dëshiruar. Rrethanat politike në Serbi nuk lejojnë njohjen e Kosovës. Serbia nuk ka hequr dorë nga ideja shoveniste ndaj shqiptarëve dhe Kosovës dhe ky është disponimi dominant i qytetarit dhe votuesit serb. Megjithatë, arritja e marrëveshjes dhe implimentimi i saj është njohje të cilës i thonë njohje ‘de facto’. Njohja ‘de jure’ mund të vij më vonë ose mund të mos vij fare. Tek e fundit, shtetet nuk kanë obligime që formalisht, me akte politike e juridike, ta njohin njëra tjetrën.
Politiko.makdomen.net: Si e vlerësoni qëndrimin e opozitës, të presidents dhe kryeministrit deri tash, sikur ka një ndërrim rolesh? Është çështje e demagogjisë politike, lojë ironike midis tyre apo shprehje e realpolitikës?
Daut Dauti: Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabić, nuk kanë ndonjë rol të rëndësishëm për ta luajtur në këtë lojën e marrëveshjes. Presidentja Osmani ka paraqitur disa propozime të saja, por ato nuk janë kundër veprimeve apo kompetencave të kryeministrit Kurti. Veprimi i opozitës dhe disa mediave në Kosovë shpesh është mjaft i çuditshëm. Vërehet se ekziston një presion ndaj kryeminsitrit Kurti që Marrëveshja të pranohet gjithsesi dhe pa kushte. Kjo gjë nuk vërehet në Beograd ku duket se Vuçiqi nuk ka opozitë të këtillë.