Maqedonia e Veriut, vend ky që shpreson të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian, po përjeton një rritje të dukshme të euroskepticizmit dhe retorikave deprimuese në raport me procesin e integrimit në familjen evropiane. Pas vitesh përpjekjesh për të arritur këtë synim të madh, entuziazmi dhe besimi në BE-në po zbehet me kalimin e kohës. Dimitar Nikolovski nga organizata “Eurothink” për KDP.mk vë në dukje se duhet të ndërthuren temat me Greqinë dhe Bullgarinë për të kuptuar se pse ka rënë përkrahja për anëtarësim në BE, veçanërisht vitin e kaluar, përcjell Indeks.mk
Problemi më i madh, sipas tij, janë kushtet e vështira të propozimit francez, që u përjetuan si një disfatë nga shumica e popullsisë, veçanërisht nga maqedonasit etnikë.
“Euroskepticizmi në Maqedoni gjithmonë ka qenë në nivele të larta deri në fund të vitit të kaluar, kur papritmas ra për 20%. Tani është interesante si është mbajtur në një nivel të lartë euroentuziazmi në vend, megjithatë duhet patjetër t’i ndërlidhim edhe temat me Greqinë dhe Bullgarinë për të kuptuar se pse ka rënë përkrahja për anëtarësim në BE, sidomos vitin e kaluar. Unë mendoj se është për shkak të lodhjes që e ndjejnë qytetarët e Maqedonisë dhe për shkak të shumë premtimeve që i kemi dhe partnerët perëndimorë, e megjithatë nuk janë realizuar. Sigurisht problemi më i madh janë kushtet shumë të vështira që e sollën me propozimin francez që u pa nga një pjesë e madhe e popullatës, sidomos e maqedonasve etnikë si disfatë por edhe diçka shumë e vështirë për t’u përmbushur”, thekson Nikolovski.
Në lidhje me kontributin e shoqërisë civile për të rikthyer besimin në BE dhe zvogëlimin e euroskepticizmit, Nikollovski shpreh nevojën për veprime të menjëhershme. Ai sugjeron se shoqëria civile duhet të fokusohet në përmirësimin e dialogut publik dhe nxitjen e debatit të hapur dhe të ndërgjegjshëm rreth përparimit evropian.
“Tani si mund të kontribuojmë ne si shoqëri civile që të rikthehet besimi në BE dhe të zvogëlohet ky trend i euroskepticizmit? Do të thosha se me një bashkëpunim shumë më të madh me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me partnerët nga vendet e afërta, duhet të rrisim besimin mes dy shoqërive. Këtu, sigurisht, më së shumti kërkoj për Bullgarinë. Megjithatë, mendoj se nevojitet një fushatë më e fortë dhe e menduar strategjikisht nga Bashkimi Evropian, për faktin se është shumë e vështirë të komunikohet ndonjë aspekt pozitiv të veprimeve të tyre në Maqedoni në periudhën e fundit, veçanërisht sa i përket vaksinave të sjella nga Bashkimi Evropian, ndërkohë që më shumë mbahet mend ndihma që morëm nga Vuçiq”, thotë Nikolovski, duke shtuar se vetëm duke angazhuar publikun dhe duke ndërtuar një ndërgjegje kolektive për rëndësinë e perspektivës evropiane, Maqedonia e Veriut mund të ndërtojë një shoqëri më të përfshirë dhe të përkushtuar ndaj vlerave dhe synimeve europiane.
Sipas anketës së realizuar nga Instituti për Kërkime Politike në fillim të muajit maj, 42.1 për qind e qytetarëve thanë se e kanë humbur besimin se Maqedonia e Veriut do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Kjo përqindje, në një anketë të realizuar katër vjet më herët nga po ky institut ishte vetëm 22.2.
Ndërsa, rezultatet e anketës së realizuar në dhjetor të vitit të kaluar nga Qendra për Strategji Evropiane “Eurothink” kanë nxjerrë në pah rezultatin e ngushtë për sa i përket besimit të qytetarëve nëse gjatë vitit 2023 Maqedonia e Veriut do të arrijë ta ndryshojë Kushtetutën, përkatësisht në preambulë t’i përfshijë bullgarët, dhe të vazhdojë procesin e negociatave. Se kjo do të mund të ndodhë besojnë 38 për qind e qytetarëve të anketuar, ndërsa mosbesim kanë shprehur 39 për qind e qytetarëve të anketuar.
Rezultatet e Qendrës për Strategji Evropiane, gjithashtu tregojnë se qytetarët e Maqedonisë së Veriut janë të mendimit se Bashkimi Evropian ka qëndrim jokorrekt ndaj vendit. Ky hulumtim bën të ditur se 65 për qind e qytetarëve të anketuar konsiderojnë se qasja e BE-së ndaj Maqedonisë së Veriut është shantazhuese dhe e padrejtë, për sa i përket kërkesës për ndryshimin e Kushtetutës, si kusht që vendi të vazhdojë procesin e integrimeve.(Indeks.mk)