VMRO – DPMNE po luan lojën e rrezikshme në emër të shtetit për të fituar pushtetin por ajo mund të humbë gjithçka në këtë drejtim, thotë në një prononcim për Indeks.mk, analisti politik Urim Saliu, duke folur për kundërshtimin që po ua bënë VMRO-DPMNE ndryshimeve kushtetuese, dhe me këtë pengesën që po i shkakton rrugëtimit të vendit drejt BE-së.
“VMRO-DPMNE duhet të shkëputet nga e kaluara e saj dhe ajo çfarë është më e keqe në këto momente, ajo po bëhet edhe më keq sepse situatat politike kanë ndryshuar dhe tashmë kemi një përplasje orientimesh pro perëndimore dhe pro ruse. Partia nëse e bën këtë për pushtet është tjetër gjë, por e kaluara ka treguar se kush është distancuar nga rruga pro perëndimore, nuk i kanë dalë hesapet mirë. VMRO – DPMNE po luan lojën e rrezikshme në emër të shtetit për të fituar pushtetin por ajo mund të humbë gjithçka në këtë drejtim. Ajo mund të humbë ndikimin tek ndërkombëtarët, tek shqiptarët dhe të futet në një zonë të errët politike me kosto që do ti paguajë vetvetiu”, deklaroi Saliu për Indeks.mk
Prandaj, shton ai, është koha për reflektim sepse përfitimet e kësaj partie nëse rreshtohet me forcat progresive janë shumëfish më të mëdha se sa politikat e izolimit për pushtet dhe vota.
“VMRO-DPMNE duhet ta ketë të qartë se edhe mund të fitojë zgjedhjet tek pala maqedonase por mund të mbetet e izoluar ,madje edhe nga vetë partnerët tjerë të komuniteteve tjera etnike dhe sidomos shqiptarëve shumicë që nuk do lejojnë të bëhen palë me parti nacionaliste që e izolojnë vendin dhe perspektiven në përgjithësi. VMRO-DPMNE duhet më në fund të reflektojë sepse ata përmes kundërshtimeve të hapura rreth ndryshimeve kushtetuese do t’i humbin të gjithë aleatët si ata ndërkombëtarë po ashtu edhe partnerët e mundshëm shqiptarë . Ndryshimet kushtetuese do të ndodhin sepse këtë nuk mund ta ndalë askush. Maqedonia e Veriut ka bërë një betejë të gjatë për të arritur këtu .VMRO vetëm mund të humb kohë në vend që ta përshpejtojë këtë proces”, nënvizoi Saliu.
Në anën tjetër, politikologu Bllagojçe Atanasoski thotë se kundërshtimi i ndryshimeve kushtetuese, nga koalicioni VMRO-DPMNE – ‘Levica’, i dy partive parlamentare që kundërshtojnë përfshirjen e bullgarëve në Preambulë, si dispozitë e të ashtuquajturit “propozim francez”, i cili në thelb është një konsensus i Bashkimit Evropian (BE), me mbështetjen e politikës së jashtme të lartë amerikane, është kundërshtim i politikës perëndimore në Maqedonisë së Veriut.
“Ky kundërshtim është kundërshtim i politikës perëndimore në Maqedoninë e Veriut dhe ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ja për ‘Levicën’ edhe mund ta kuptojmë disi që këtë që po e bënë është ‘normale’, por kjo politikë e opozitës, së pari rrezikon ta zhytë Maqedoninë në një krizë të re politike, duke bllokuar rrugën e vendit drejt BE-së (që Shqipëria të vazhdojë e vetme, e cila është shumë e rrezikshme për marrëdhëniet ndër-etnike), dhe së dyti rrezikon të etiketohet si një parti anti-perëndimore dhe në rast të fitores eventuale të saj në disa zgjedhje parlamentare (qofshin të rregullta apo të jashtëzakonshme), do të pengohet të formojë një qeveri, në mënyre eksplicite do t’u ndalohet shprehimisht partive shqiptare nga vetë shqiptarët të menduarit për koalicion me VMRO DPMNE-në dhe Mickoskin për të mbështetur synimin e tij për t’u bërë kryeministër dhe që kjo parti të bëhet parti në pushtet në vendin tonë”, deklaroi Atansoski. <strong>(Indeks.mk)</strong>