Kjo qeveri ka lënë prapa muajin e mjaltit, po jeton njëqinditëshin e qetësisë politike, në parim. Po në fakt, çfarë nishanesh po jep, në sensin e vënies në jetë të premtimeve parazgjedhore?… Edhe BDI-ja e Ali Ahmetit e ka përvojën dhe memorjen institucionale, si partia më e suksesshme në skenën politike të shtetit e rajonit, pa asnjë humbje në zgjedhje të përgjithshme. E ka edhe një stazh të të qenurit, sado-kudo, në opozitë. Dokumentet e miratuara në Mbledhjen e Përgjithshme në Gostivar, janë sinjal se pas kalimit të njëqinditëshit, edhe Qeveria, edhe opozita, do të maten për ato që (s)bëjnë!
Shkruan: Seladin XHEZAIRI
Duke lënë anash debatet për “legalitetin” dhe “legjitimitetin” që, si kategori, në jetën politike janë pjesë e asaj që quhet obligim politik, duket se qeveritarët e rinj shqiptarë në Maqedoninë e Veriut po e paguajnë mungesën e stazhit të bërjes opozitë, ndaj vazhdojnë refrenin se edhe për “muajin e mjaltit” me VMRO-DPMNE-në, fajet na i paska BDI-ja e Ali Ahmetit! Ta thotë mendja se nuk ishte punë e Artan Grubit, publikimi i kandidaturave për ministra e zëvendësministra apo edhe për drejtorë, para se të kalojnë nëpër sitën, jo shoshën, e Kryeministrit Hristijan Mickoski, ndaj edhe zhgënjimi në qarqet e partnerëve të koalicionit qeverisës. Mjafton një shëtitje nëpër profilet e eksponentëve më të zëshëm të VLEN-it për të parë gjithë atë mori “përshëndetjesh” dhe “urimesh” për caktim kandidature për x-poste, ndërkohë që në listat e publikuara të emërimeve, të njëjtët nuk figurojnë fare! Pastaj, edhe ndarja e kulaçit brendapërbrenda “pesë sivëllezërve” të nahijeve e proviniencave të ndryshme, sikur lë për të dëshiruar. Ndarja “me short”, siç po thuhet në Tetovë, flet para së gjithash për mungesë harmonie e gjuhe të përbashkët. Edhe kjo do të mund të gëlltitej disi, sikur të ishte praktikuar gjatë besëlidhjes me partinë maqedonase për krijimin e koalicionit qeverisës. Ndaj, kur kjo nuk u bë, tani dalin shterpe të gjitha pretendimet se fajtorin duhet kërkuar tek – opozita e re(shqiptare, para së gjithash!)!
Në një atmosferë të tillë, prandaj rezultojnë si të vërtetë zërat se ngritja e koalicionit “VLEN” në një parti të vetme mund të hasë në sfida, për të mos thënë probleme, pikërisht për shkak të orekseve politike të “pesë pobratimave politik”. Për arsye shumë të thjeshtë: Lëvizja Besa e Bilall Kasamit, në raport edhe me LD-në e Mexhit, edhe me Aleancën, krahu i Taravarit, apo Alternativën dhe grupimin rreth Bekim Qokut, është subjekt i organizuar që peshon më shumë në gjithë këtë grupim, andaj spekulimet se lideri i partisë së re është para-caktuar diku jashtë Shkupit e Tetovës, vetëm sa e provojnë këtë sfidën, për të mos thënë, problemin, me të cilën do të ndeshen pushtetarët e rinj shqiptarë!
Dinakëria e mendjes politike nuk është se ka prodhuar gjithmonë rezultate të mira. Andaj harxhimi pa nevojë i energjisë politike, për çështje që në një shoqëri normale nuk do duhej të çonin shumë peshë, shumë kollaj mund t’i çojë bartësit e saj në veprime, në radhë të parë, të disfavorshme për vet ata! Kjo vlen, për gjithë koalicionin qeverisës (maqedono-shqiptar). U mor vesh, nëse janë të barabartë, si partnerë, nëse jo, përsëri, do të duhet të japin shpjegime, të paktën, për disa veprime të para politike që sikur zhvlerësojnë disa arritje gjatë periudhës së kaluar të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut (pas 2001-shit e këtej).
I begenisim ose jo!
Dhe, fare në fund, dy-tri fjalë edhe për opozitën: BDI-ja e Ali Ahmetit e ka përvojën dhe memorjen institucionale, si partia më e suksesshme në skenën politike të shtetit e rajonit, pa asnjë humbje në zgjedhje të përgjithshme. E ka edhe një stazh të të qenurit, sado-kudo, në opozitë. Dokumentet e miratuara në Mbledhjen e Përgjithshme në Gostivar, janë sinjal se pas kalimit të njëqinditëshit, edhe Qeveria, edhe opozita, do të maten për ato që (s)bëjnë!