VMRO – Grubi, fakti më i fortë se dhjetë akuza pa fakte!
Pra, nëse ka ndonjë ilaç “universal” ndaj fjalëve boshe ose akuzave të pabaza, nuk është përgjigja ndaj tyre me të njëjtën mënyrë, por kur atyre u përgjigjesh me fakte. Këtë gjë e bëri pa hezitim Zëvendëskryeministri i Parë në një betejë të hapur verbale me oponentët e vet.
Kështu sot komentohej në Çarshinë e Shkupit fjalimi i djeshëm i zëvendëskryeministrit të parë, Artan Grubi, në Kuvend. Kështu janë edhe reagimet e qindra qytetarëve nëpër rrjetet sociale.
Dukej sikur Grubi ishte në defanzivë disa ditë me radhë nga fushata që kundër tij që e nisi deputeti i VMRO-së, Mile Levkov, duke e ngarkuar për keqpërdorim të detyrës dhe përfitime të familjarëve ose bashkëpartiakëve të tij, e duke e vazhduar kolegë të tij brenda dhe jashtë parlamentit, të orkestruara mirë edhe nga media të afërta me këtë parti. Bile, ata i çuan mesazh Grubit që të paraqitet para tyre, e jo që t’u përgjigjet përmes “gazetarçiqave” të tij!
Dhe Grubi iu doli përballë dhe mbajti fjalimin e tij, që i la pa tekst.
Sëpari, ua përplasi në sy faktin e rremë për agjencinë turistike të vëllait me faktin që u mbështet edhe nga Banka, se objekti për të cilin akuzohej, është blerë me kredi afatgjate dhe shumë kohë para se ai të merrej me angazhime të larta shtetërore.
E njëjta gjë ishte edhe sa i përket drejtoreshës së Byrosë së Metrologjisë, për atë tenderin e famshëm që e përmendnin. Grubi i la pa mburojë duke iu thënë të drejtohen në Ambasadën Evropiane prej ku është ndarë tenderi, e jo te ai!
Dhe së treti, e vuri veten në dispozicion të Prokurorisë që t’i hulumtojë të gjitha pretendimet e VMRO-së.