Shkruan: Daut Dauti
-Për dashurinë flijoi gjithçka. Mira jo vetëm që është konvertuar në ortodokse, por dhe është bërë serbe…! Unë, zotohem publikisht, se sa më parë, do të shkruaj një rrëfim dashurie me sindromën e Stokholmit, kur viktima dashurohet në agresorin. Ndoshta Mirës dhe nuk i bëjnë përshtypje gjërat tjera që kanë lidhje me vetëdijen(e fjetur) dhe ndërgjegjen. Vetëdija (kombëtare), sensi për bëmat serbe në Kosovë, për të nuk kanë rëndësi…
Lexuesit e dinë që nuk shkruaj vetëm kolumna, por dhe vepra letrare. Përderisa kolumnat kollaj dalin nga ngjarjet e përditshmërisë sonë të zymtë(sa më zi, aq më shumë inspirim!), në letërsi çështja është ndryshe. Dhe, pas një krize krijuese, kur s’më vinte frymëzimi, më del përpara syve një feks shkëndije që bëhet zjarr frymëzimi. Ndonëse në moshë kur të shkruash për dashurinë duket ngapak anakronike, lajmi që lexova më dha idenë pikërisht për një tregim, novelë a roman dashurie, në mos edhe më shumë, një telenovelë sentimentale për t’u shkri në lot e vaj nga emocionet!
Rrëfimi është sikur i nxjerrë nga faqet e Shekspirit, ndonëse jo me fund tragjik si Romeo e Xhulieta, që gabimisht e pinë helmin. Një shqiptare nga Durrësi është martuar me një serb nga Leposaviqi! Hajt, hajt! Dasma e tyre ka ndodhur pikërisht në kohën e dramës më të madhe që ka përjetuar veriu i Kosovës, por dashuria e shqiptares dhe serbit e ka mundur stresin e madh. Vajza quhet Mira Dreaj dhe fatlumi, Dejan Slavkoviq. Vajza shqiptare, u tregua tepër zemërgjerë për të flijuar gjithçka për dashurinë: për t’iu përshtatur të dashurit serb, ishte konvertuar në ortodokse, ndaj dhe kurorëzimin e kanë bërë në Kishën Ortodokse në Soçanicë. Edhe një hap tjetër për dashurinë, ajo tash është bërë serbe! “Unë u martova me Dejanin për dashuri, ne u takuam në Durrës. Njohja dhe shoqërimi ynë zgjati gjashtë muaj. Unë jam e lumtur që po kthehem në besimin e të parëve të mi. Tani ndihem serbe. Ka shumë njerëz në Shqipëri qe kanë origjinë serbe, dhe nuk e dinë, ose deri tani ata ishin të ndaluar ta dinin”.
Të shkrihesh nga emocionet nga lumturia e saj!
Mira ka flijuar gjithçka, ndonëse i dashuri i saj serb, do ta kishte pranuar edhe pa këtë flijesë të saj, por e ka gëzuar shumë kur Mira i ka thënë se do t’i lindë atij fëmijë ortodoksë.
“Život piše romane!”, kështu ishte, apo jo?
Në këtë rrëfim tejet (melo)dramatik, shqiptares Mira, nuk i ka bërë aspak përshtypje duke pranë pengesave ku po qëndrojnë trupat e KFOR-it, pranë ndërtesës së komunës ku gjendet i ngujuar kryetari i ri shqiptar, që nga ditët e protestave të dhunshme të ekstremistëve serbë. Ajo është e lumtur që ka gjetur shpirtin binjak, dhe s’çan kokën për bashkëkombësit e saj të dikurshëm. Unë, zotohem publikisht, se sa më parë, do të shkruaj një rrëfim dashurie me sindromën e Stokholmit, kur viktima dashurohet në agresorin. Ndoshta Mirës dhe nuk i bëjnë përshtypje gjërat tjera që kanë lidhje me vetëdijen(e fjetur) dhe ndërgjegjen. Vetëdija (kombëtare), sensi për bëmat serbe në Kosovë, për të nuk kanë rëndësi. Edhe pak dhe do të dale një vepër si “Taras Bulba”, ku në qendër është dashuria me vajzën nga tabori armik…
Çështja që ndonjë shqiptar të këtej kufirit nuk e kupton këtë lloj dashurie, le t’i mbetet nivelit të ulët të emancipimit. Jo ky rast, por dhjetëra e ndoshta qindra raste të tjera të vajzave e vejaneve shqiptare të martuara për para në katundet e Shumadisë, për ta rritur natalitetin e tyre, janë vetëm një episod si në atë serialin që televizionet e ish-Jugosllavisë e titullonin “Zona sumraka”…Përkthimin ua lë juve.
(Fragment nga kolumna “Paqeruajtësi” Vuçiq dhe “luftënxitësi” Kurti në gazetën “Koha”)