Gjiganti teknologjik Google është paditur në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë për mospërfshirje të gjuhës shqipe në gjuhët e mbështetura nga Google.
Padinë e kanë bërë shtetasi amerikan Haki Dervishi dhe Neshad Asllani, mjek kosovar, anëtar i bordit të organizatës “Dekada për të Drejtat e Njeriut” në Nju Jork.
Sipas tyre, ky diskriminim ka pasur pasoja të mëdha në media, marketing, investime të huaja, zhvillim ekonomik dhe teknologjik në Shqipëri, Kosovë dhe kudo ku flitet gjuha shqipe.
“Paditësit besojnë se diskriminimi i vazhdueshëm i gjuhës shqipe nga Google ka bërë që shqipfolësit të diskriminohen nga pjesa tjetër e Evropës dhe botës në zhvillimin e biznesit, marketingut dhe gazetarisë, pasi janë të përjashtuar nga Google Ads, Google Adsense dhe Google Admob”, thuhet në komunikatën e dërguar nga Dervishi dhe Asllani.
Padia kërkon që Google të shtojë gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare të mbështetur nga Google dhe të ofrojë shërbimet e saj në këtë gjuhë. Në padi kërkohet edhe dëmshpërblimi financiar për dëmet e shkaktuara nga diskriminimi i gjuhës shqipe.
Google ende nuk ka komentuar mbi padinë. Kompania ka pranuar se janë mbi 100 gjuhë të mbështetura nga Google, por nuk ka dhënë një arsye pse gjuha shqipe nuk është pjesë e tyre.
Gjuha shqipe është një gjuhë indo-evropiane e folur nga rreth 7.6 milionë njerëz në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Greqi dhe diasporë. (politiko.makdomen.net)