Piano e Tefta Tashko Koços, një instrument i papërdorur prej vitesh, ndodhet në Muzeun Historik Kombëtar, ku disa vite më parë u bënë punime për restaurimin e saj. Studiuesi dhe restauratori Frederik Stamati që ka publikuar dhe foto thotë se është një objekt i një rëndësie të veçantë. Sipas tij u punua shumë për restaurimin, por ka ende punë për t’u bërë.“Piano e Tefta Tashko Koços disa vjet më parë u kalua në Muzeun Historik Kombëtar. Më parë ka qenë në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Në të ishin bërë ndërhyrje si për shkollat, por jo si për në muze. As motivet e rimesos dhe as motivet gjeometrike nuk dukeshin. U punua shumë për restaurimin e saj. Puna do të vazhdojë me vendosjen e llustrës, jo llustër dosido, por ashtu siç është teknologjia e llustrimit të instrumenteve muzikore dhe konkretisht me po ato kërkesa siç llustrohen pianot, gjë e veçantë”, shprehet restauratori Stamati. Piano e Tefta Tashko Koços që sot ndodhet në Muzeun Historik Kombëtar, sipas restauratorit Frederik Stamati që ndoq punimet në kohën kur dhe u ndërhy ishte në një gjendje shumë problematike. Ai thotë se para disa vitesh pati njerëz dashamirës, që ndihmuan me financim për restaurimin e saj. “Piano ishte siç kishte ardhur nga Liceu dhe ishte në një gjendje katastrofike. Në atë kohë kur nisi puna ajo ishte në një gjendje të rënduar, ishte keqpërdorur. Atë kohë u tha që ajo piano tani që nuk përdoret më ti kalonte muzeut si një relike e një këngëtareje shumë të madhe. Kur ne punuam para disa vitesh nuk u dha financim nga shteti për të, por pati investime nga njerëz dashamirës, kontribuan atë kohë me financime për pianon. Për pianon atë kohë ka punuar dhe një specialist në Lice për rregullimin e veglave muzikore. Jo vetëm piano, por dhe te stoli që ulesh u punua”, thotë Stamati.