Për Emisarin Special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, tashmë Kosova dhe Serbia e kanë humbur besimin e perëndimit pas incidenteve në pjesën veriore të Kosovës, derisa sipas tij, komuniteti ndërkombëtar është “shumë i zemëruar dhe zhgënjyer”.
“Palët në konflikt tashmë kanë humbur një pjesë të madhe të besimit. Pavarësisht kësaj, nuk kam asnjë dyshim se KFOR-i do të vazhdojë të luajë rolin e tij me mençuri dhe vendosmëri. Ka një mandat të qartë dhe nuk ka ndryshuar. Kemi bërë thirrje për maturi. Problemi është se përderisa shumica etnike serbe në këto katër komuna veriore nuk merr pjesë në zgjedhje, problemi nuk do të zgjidhet”, tha ai për mediumin gjerman Table Berlin.
“Fillimisht, më duhet të them atë që i thashë drejtpërdrejt kryeministrit Kurti: Secili është përgjegjës për veprimet e veta. Natyrisht, presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka mbjellë mosbesim shtesë me deklaratat dhe sjelljen e tij në javët e fundit”.