Shifrat pasqyrojnë se shteti i Gjirit ka importuar 75.5 tonelata të arit rus në vlerë prej 4.3 miliardë dollarësh – ngritje e theksuar krahasuar me 1.3 tonelata sa ishte më 2021. Kina dhe Turqia ishin destinacionet tjera të mëdha, duke importuar 20 tonelata secila nga 24 shkurti 2022 deri në të njëjtën datë më 2023. Bashkë me Emiratet e Bashkuara Arabe, tri vendet përfshinin 99.8 për qind të eksporteve ruse të arit në të dhënat doganore për këtë periudhë
Emiratet e Bashkuara Arabe janë kthyer në çerdhe kryesore tregtare për arin rus pas vënies së sanksioneve perëndimore Rusisë si ndëshkim për pushtimin e Ukrainës. Të dhënat e doganave ruse tregojnë se Emiratet janë kthyer në alternativë për Moskën pas bllokimit të rrugëve tradicionale tregtare.
Shifrat, të cilat dëshmojnë hollësisht për pothuajse një mijë dërgesa ari për një vit pas fillimit të luftës në Ukrainë, pasqyrojnë se shteti i Gjirit ka importuar 75.5 tonelata të arit rus në vlerë prej 4.3 miliardë dollarësh – ngritje e theksuar krahasuar me 1.3 tonelata sa ishte më 2021.
Roli i Turqisë dhe Kinës
Kina dhe Turqia ishin destinacionet tjera të mëdha, duke importuar 20 tonelata secila nga 24 shkurti 2022 deri në të njëjtën datë më 2023. Bashkë me Emiratet e Bashkuara Arabe, tri vendet përfshinin 99.8 për qind të eksporteve ruse të arit në të dhënat doganore për këtë periudhë.
Në ditët e para pas nisjes së luftës në Ukrainë, shumë banka, furnitorë logjistikë dhe rafinues multinacionalë të metaleve të çmuara hoqën dorë prej menaxhimit të floririt rus, që zakonisht dërgohej e tregtohej në Londër, çerdhe e madhe e tregtimit dhe ruajtjes së arit.Shoqata Tregtare e Shufrave të Arit e Londrës ndaloi tregtinë e arit rus nga 7 marsi i vitit 2022 dhe deri në fund të gushtit, Britania, Bashkimi Evropian, Zvicra, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Japonia ndaluan të gjitha importet e shufrave ruse të arit.
Megjithatë, të dhënat tregojnë se prodhuesit e arit rus menjëherë gjetën tregje të reja në vende që nuk i kishin vënë sanksione Moskës, si Emiratet e Bashkuara Arabe, Turqia dhe Kina.
Louis Marechal, ekspert i burimeve të arit në Organizatën për Bashkëpunimin dhe Zhvillim Ekonomik, ka thënë se ka rrezik që ari rus mund të shkrihet dhe të tregtohet përsëri në tregjet amerikane dhe evropiane, duke maskuar prejardhjen.
“Nëse ari rus vjen, ripërpunohet nga rafinuesi lokal, pronësohet nga një bankë ose tregtar lokal, dhe pastaj shitet në treg, në këtë pikë kemi të bëjmë me rrezik”, është shprehur ai. “Kjo është arsyeja pse mund të kthehet në instrumentale për t’iu ikur sanksioneve me të cilat mund të përballen”.
Emiratet e Bashkuara Arabe kanë thënë se do të vazhdojnë tregtimin e arit rus sipas normave dhe standardeve ndërkombëtare të përcaktuara nga Kombet e Bashkuara.
Kërcënimi “i padobishëm” amerikan
Në përpjekje për ta izoluar edhe më shumë Rusinë, Uashingtoni ka paralajmëruar vendet, përfshirë Emiratet dhe Turqinë, se mund të humbin qasjen në tregjet e shtatë shteteve më të zhvilluara nëse nuk respektojnë sanksionet amerikane.
Të dhënat e rishikuara nga Reutersi nuk sugjerojnë se ka pasur ndonjë shkelje të sanksioneve amerikane nga këto vende.
Thesari i SHBA-së, Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja e të cilit zbaton sanksionet, nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
Dërgesat në të dhënat doganore, të ofruara për Reutersin nga një ofrues tregtar, tregojnë eksporte prej 116.3 tonësh midis 24 shkurtit 2022 dhe 3 marsit të këtij viti, megjithëse konsulenti “Metals Focus” vlerëson se Rusia prodhoi 325 tonelata arë në 2022.
Pjesa tjetër e arit të gërmuar në Rusi ka të ngjarë ose ka mbetur në vend, ose është eksportuar në transaksione që nuk përfshihen në të dhëna. Reuters nuk ishte në gjendje të përcaktonte se çfarë përqindje e eksporteve totale të arit të Rusisë mbulohej nga të dhënat.
Shumica e dërgesave të arit rus në Kinë shkuan në Hong-Kong. Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës tha se bashkëpunimi i vendit me Rusinë “do të jetë pa përçarje ose detyrim nga çdo palë e tretë”.
Ministria e Financave e Turqisë nuk iu përgjigj kërkesave për koment. Qeveria ruse, autoriteti doganor dhe banka qendrore nuk iu përgjigjën kërkesave për koment në lidhje me eksportet e arit.
Zhvendosja e eksporteve ruse nga Londra nuk shihet si një goditje e madhe, pasi qendra nuk varet nga Rusia. Në vitin 2021, për shembull, ari nga Rusia përbënte 29% të importeve të Londrës, por në 2018 ai përbënte vetëm 2%, tregojnë të dhënat e tregtisë britanike.
Ndërkohë, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë pasur prej kohësh një industri të lulëzuar ari. Të dhënat e tregtisë tregojnë se importonte rreth 750 tonë arë të pastër në vit mesatarisht midis 2016 dhe 2021 – që do të thotë se dërgesat në të dhënat ruse do të përbënin vetëm rreth 10% të importeve të saj.
Emiratet e Bashkuara Arabe janë eksportues i madh i shufrave dhe bizhuterive.
Çmime me zbritje
Menaxheri i një kompanie që dërgoi sasi të mëdha ari rus në Emiratet e Bashkuara Arabe i tha Reutersit se firmat ruse kishin shitur shufra argjendi atje me një zbritje prej rreth 1% ndaj çmimeve standarde globale, duke ofruar një nxitje për tregti.
Menaxheri, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se shumica e arit që firma e tij dërgoi në Emiratet e Bashkuara Arabe ishte e destinuar për rafineri, ku do të shkrihej dhe do të ripërpunohej.
Reuters kërkoi koment katër prej minierave më të mëdha të arit në Rusi. Nordgold dhe Norilsk Nickel (GMKN.MM) nuk pranuan të komentojnë. Polyus (PLZL.MM) dhe Polymetal nuk u përgjigjën.
Në shumë raste, të dhënat doganore tregojnë vetëm transportuesit ose tregtarët e përfshirë në transaksione, jo blerësin përfundimtar, i cili mund të jetë një rafinues, argjendari ose investitor.
Të dhënat tregojnë se mbajtësi më i madh i arit rus të eksportuar në Emiratet e Bashkuara Arabe ishte “Temis Luxury Middle East”, një degë në Dubai e firmës franceze të logjistikës Temis Luxury e përfshirë në dërgesën prej 15.6 tonësh me vlerë 863 milionë dollarë nga prilli 2022 deri më 3 mars.
Broca Houy, përfaqësues i Temis Luxury Group, tha se kompania “përputhet plotësisht me ligjet dhe rregulloret e Emirateve të Bashkuara Arabe për biznesin e transportuesit të mallrave”.
Ai tha se Temis nuk bleu arin rus dhe pranoi vetëm porosi transporti nga operatorë që nuk u nënshtrohen sanksioneve të SHBA-së.
E pyetur për dërgesat, Ministria e Financave e Francës tha se nuk do të komentonte për rastet individuale, por ishte shumë e përkushtuar për zbatimin e sanksioneve.