Ekspertët ekonomikë kanë vlerësuar se masat e qeverisë për të përballuar krizën ekonomike kanë qenë adekuate dhe lehtësuese për vendin. Ata gjithashtu kanë shprehur optimizmin për integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE, por kanë theksuar se duhet të bëhen reforma strukturore dhe specializime prodhimi për të përfituar nga tregu i madh evropian. Një nga sfidat kryesore që do të ndikojnë në ekonominë e vendit janë krizat politike dhe ushtarake në rajon dhe në botë, siç janë konflikti në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, por sipas ekonomistëve nëse qeveria do të vazhdojë të ndërmarrë masa lehtësuese vendi do të arrijë që t’i tejkalojë krizat gjatë vitit 2024, shkruan Politiko.makdomen.net
Analisti ekonomik Arben Halili u shpreh se e vlerëson kontributin dhe ndërhyrjen e vazhdueshme të qeverisë gjatë krizave që kanë prekur ekonominë e vendit.
“Në radhë të parë vlerësoj që qeveria çdo herë duhet t ndërhyjë të kontribojë në përmirësimin e kushteve ekonomike si për sektorin e biznesit poashtu edhe për qytetarët, megjithatë gjykoj që forma e këtillë siç janë prezantuar dhe zbatohen këto masa deri diku janë adekuate dhe lehtësuese, megjithatë unë mendoj që qeveria duhet të përpiqet akoma dhe më shumë që tani të fokusohet në promovimin dhe në mbështetjen e prodhimtarisë vendore sa më të madhe. Sa më shumë që Maqedonia do të jetë në gjendje të krijojë ose të prodhojë ushqimin bazik për qytetarët e vet, aq më pak pastaj do të jetë e nevojshme ndërhyrja e qeverisë në ekonominë e tregut. Poashtu përveç ministrisë së Ekonomisë e cila merret me masat e kufizimit të çmimeve do të ishte akoma më mirë, sikur me këtë punë të merrej edhe agjencia për Mbrojtjen e Konkurrencës e cila duhet ta kryej këtë punë dhe nuk duhet të pres vetëm momentet e tilla të krizës që të veprohet nga ana e shtetit por pikërisht kjo agjenci në vazhdimësi duhet të ndjekë çmimet në treg, të mbrojë konkurrencën dhe pse jo të përfshihet edhe agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorëve” tha Halili për Politiko.makdomen.net
Halili gjithashtu është optimist për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, ku sipas tij Maqedonia e Veriut sikurse vendet tjera anëtare të BE-së do të ketë përfitime të mëdha për ekonominë e vendit.
“Sa më tepër që Maqedonia si shtet t’i afrohet strukturave të Unionit Evropian, është e logjikshme dhe bazuar edhe në eksperiencën paraprake të vendeve të cilat janë inkuadruar ose angazhuar në Unionin Evropian që edhe ekonomia e Maqedonisë të ketë përfitime plotësuese veçanërisht nga rritja e shkëmbimit tregtar me vendet anëtare të BE-së, po pse jo edhe me vendet e rajonit. Gjithsesi duhet të kemi parasysh që vetëm inkuadrimi formal dhe juridik në BE neve nuk do të na pres krahë hapur, për shkak se do ndeshemi me një konkurrencë të ashpër të një tregu mbi 500 milion konsumatorë dhe në një moment të tillë është lufta e ekonomisë së tregut ndërmjet kompanive të cilat duhet të ballafaqohen me këtë treg të madh me produktet e kufizuara ku ne si vend i ofrojmë në këtë treg. Prandaj ne duhet të fokusohemi në specializimin e prodhimit të atyre produkteve ne mund të kemi përparësi krahasuese përballë vendeve të tjera dhe normalisht të standardizuar duke plotësuar të gjitha kushtet e domosdoshme për të shitur në këtë treg dhe jo të ndodhi që produktet të mos jenë adekuate për atë treg. Tregu Evropian nuk do të pranojë produkte të tilla dhe sigurisht do të arrijë të mbijetojnë vetëm atë kompani që do t’i plotësojnë këto kushte, prandaj them që specializimi në degë apo struktura të caktuara të ekonomisë për të prodhuar produkte të ciklat kanë përparësi krahasuese për kompanitë do të na, do të mundësonte një shkëmbim tregtar më të madh për vendin, normalisht do të gjeneronin të hyra devizore për vendin dhe sigurisht që interesi shtetëror do të ishte më i madh në këtë drejtim. Prandaj sa përgjegjëse do të jetë qeveria po aq më shumë përgjegjës do të jenë kompanitë vendore për mirëmbajtjen e mirëqenies ekonomike që do të na ofrohet nga tregu Evropian me integrimin e vendit”, shprehet Halili.
Halili shtoi se gjatë vitit 2024 me masat e ndërmarra deri më tani nga ana e qeverisë, pret që vendi në mënyrë të kënaqshme t’i përballojë krizat që do të vijnë si pasojë e konfliktit mes Izraelit dhe Palestinës.
“Unë besoj se me hapat e ndërmarra deri më tani të shtetit por edhe të vendeve të tjera anëtare do të mundësohet që ekonomia e vendit të përballojë në masë të kënaqshme sfidat të cilat kanë të bëjnë me krizën ekonomike. Gjithsesi duke marrë për bazë atë që po ndodh kohën e fundit respektivisht në lidhjen e mesme dhe krizat e ndryshme të paplanifikuara ushtarake, e kështu me radhë, sigurisht se do të jetë vit sfidues edhe për ekonominë e vendit, kjo do të thotë se për skaj të disa paralajmërimeve aktuale përveç krizës që solli Ukraina, edhe kriza plotësuese që po ndodh për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme mund të sjelli gjëra të paparashikueshme. Gjithsesi nëse do të vazhdojmë me këtë ritëm dhe me këto sfida që kemi aktualisht e rëndësishme për shtetin është që të mbajë bilancin tregtar në nivelin e mbajtur deri më tani dhe të vazhdojë të kontribuojë me masa të vazhdueshme siç ka kontribuar gjatë krizave të kaluara”, tha Halili.
Eksperti i ekonomisë dhe njëkohësisht anëtar i Odës Ekonomike Norvegjeze, Isamet Bakiu u shpreh se masa e deritanishme kanë ndihmuar në ruajtjen e punësimit, mbajtjen e likuiditetit, rritjen e konsumit dhe investimeve, dhe parandalimin e një recesioni më të thellë.
“Unë mendoj se masat e qeverisë janë të mjaftueshme dhe efektive për të përballuar krizën ekonomike që u shkaktua nga si gjatë periudhës së Covidi-19 ashtu edhe gjatë konfliktit ruso-ukrainas. Qeveria ndërmori një sërë veprimesh fiskale dhe monetare për të stimuluar ekonominë, siç janë ulja e normave të interesit, rritja e shpenzimeve publike, subvencionimi i pagave dhe pensioneve, lehtësimi i kushteve të kredisë, ulja e taksave dhe tarifave doganore etj”, deklaroi Bakiu për Politiko.makdomen.net
Bakiu gjithashtu u shpreh se marrëdhëniet ekonomike me Bashkimin Evropian dhe vendet fqinje janë shumë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Maqedonisë së Veriut.
“Bashkimi Evropian gjithashtu ofron ndihmën më të madhe financiare dhe teknike për Maqedoninë e Veriut, duke mbështetur procesin e integrimit evropian, reformat strukturore, zhvillimin rural, etj. Vendet fqinje si Shqipëria, Kosova, Serbia, Bullgaria dhe Greqia gjithashtu janë tregtarë dhe investitorë të rëndësishëm për Maqedoninë e Veriut. Unë mendoj se ka shumë mundësi për bashkëpunim më të ngushtë dhe përfitime reciproke me Bashkimin Evropian dhe vendet fqinje. Anëtarësimi në BE do të hapte një treg më të madh dhe më të integruar për Maqedoninë e Veriut, dhe do të ofronte mundësi për fondet strukturore dhe kohezione”, potencoi ai.
Ai gjithashtu u shpreh se është optimist përsa i përket përballimit të krizave të mundshme gjatë vitit 2024, dhe ka besim në trajtimin adekuat të kësaj krize nga ana e qeverisë.
“Parashikimet për vitin 2024 janë optimiste në lidhje me rritjen ekonomike, inflacionin, deficitin buxhetor. Sipas FMN-së, Maqedonia e Veriut pritet të ketë një rritje ekonomike prej 4.2% në 2024, pas një rritje prej 4.1% në 2023. Një rekomandim për politikat makroekonomike që duhet të ndiqen nga qeveria është të vazhdojë me reformat strukturore që do të rrisin konkurrencën, produktivitetin, dhe potencialin e rritjes së ekonomisë. Këto reforma përfshijnë përmirësimin e klimës së biznesit, forcimin e sundimit të ligjit, nxitjen e inovacionit dhe transferimit të teknologjisë, zhvillimin e sektorit privat dhe të tregjeve financiare, etj. Këto reforma do të ndihmonin Maqedoninë e Veriut të bëhet më e hapur dhe e integruar me ekonominë globale, dhe të përfitojnë nga mundësitë e tregtisë dhe investimeve”, shprehet eksperti ekonomik Isamet Bakiu. (Politiko.makdomen.net)