Një operacion i suksesshëm shpëtimi u zhvillua në orët e vona të mbrëmjes së 8 qershorit 2024, kur Shërbimi i Kërkimit dhe Shpëtimit të Malit të Kosovës (ShKShMK) mori një thirrje emergjente nga një shtetas i huaj. Bjeshkatari, i cili ishte duke eksploruar zonën malore pranë qendrës skitare të Brezovicës, humbi orientimin për shkak të errësirës dhe mungesës së pajisjeve të duhura.
Ekipet e ShKShMK nga stacionet e Prizrenit dhe Gjilanit reaguan me shpejtësi, duke përdorur teknologjinë për të identifikuar pozicionin gjeografik të personit të humbur. Për fat të mirë, pas një kërkimi të shkurtër, ata arritën të lokalizojnë bjeshkatarin e bllokuar në një greminë të thellë ndërmjet majave të Livadheve.
Gjendja shëndetësore e bjeshkatarit ishte stabile, por ai vuante nga të ftohtit për shkak të mungesës së veshjeve të përshtatshme për kushtet e ashpëra malore. Ekipi i shpëtimit i ofroi ndihmën e parë, duke e ngrohur dhe ushqyer, para se ta evakuonin në siguri deri te patrulla e policisë në qendrën skitare.
ShKShMK bën thirrje të gjithë bjeshkatarëve dhe vizitorëve të maleve në Republikën e Kosovës dhe rajonin përreth të jenë të kujdesshëm në planifikimin e aktiviteteve të tyre dhe të sigurojnë pajisje adekuate për të shmangur incidente të tilla. Njëkohësisht, ShKShMK falënderon Policinë e Kosovës për bashkëpunimin dhe gatishmërinë e treguar gjatë këtij operacioni të shpëtimit./politiko.mk