Egjipti ka refuzuar të lejojë shtetasit amerikanë dhe qytetarët e vendeve të tjera të hyjnë në Egjipt përmes pikës kufitare Rafah të shtunën, duke kërkuar që kalimi të hapet gjithashtu për ndihmën humanitare për Gazën. Kjo vjen pasi Departamenti Amerikan i Shtetit u dërgoi udhëzime palestinezo-amerikanëve në Gaza duke thënë se kalimi kufitar Rafah “mund të jetë i hapur” të shtunën pasdite.
Por një zyrtar palestinez i kufirit i tha CNN se pllaka betoni po vendoseshin në vendkalimin Rafah, duke bllokuar të gjitha portat. Qindra palestinezë me pasaporta të huaja u dyndën në pikën kufitare Rafah të shtunën dhe janë ulur në rrugë për orë të tëra, duke pritur për të kaluar. Portat janë të mbyllura dhe askush nuk po lejohet të kalojë.
Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha se SHBA është në kontakt me disa prej tyre, por nuk tha se sa prej tyre kishin kërkuar ndihmë për t’u larguar. Zyrtari tha gjithashtu se situata në pikën kufitare po ndryshon vazhdimisht. Zona e Gazas është nën bllokadën ajrore, tokësore dhe detare të Izraelit qysh prej vitit 2007, kur Hamas mori kontrollin e territorit. Zona është përballur me një krizë humanitare, me mungesën e ujit, ushqimit dhe ilaçeve. (politiko.makdomen.net)