Antievropianizmi është antimaqedonizëm!
Shkruan: Destan Jonuzi
Nacionalizmi nuk duhet ngatërruar me patriotizmin. Kjo këshillë e mençur dominon mendimin dhe veprimin politik perëndimor. Patriotizmi, sipas Xhorxh Oruellit, është përkushtim ndaj atdheut… Ndryshe, shpjegon ky autor, nacionalisti është i pandashëm nga dëshira për pushtet, me një qëllim që të sigurojë më shumë pushtet dhe më shumë prestigj.
Për më tepër, shpjegon ky autor, “nacionalisti jo vetëm që nuk tmerrohet nga krimet e kryera prej tij, por ka një aftësi mbresëlënëse për të mbyllur veshët dhe për të mos dëgjuar fatin për ta”.
Hristijan Mickoski mund të jetë nacionalist, por jo patriot. E gjithë kjo që po ndodh tani në Maqedoninë e Veriut nuk ka të bëjë fare me patriotizmin! Sepse këtë e dëshmojnë gjërat e mjera të përditshme dhe e thonë të gjithë miqtë e Maqedonisë së Veriut.
Andaj militantët e kësaj opozite të udhëhequr nga Mickoski për disa vite më kot, pa ndonjë vlerë konkrete, flasin për interesat e mëdha strategjike të shtetit, përveç me tone marrëzie.
Hristijan Mickoski ka karakteristikat e nacionalistit “të përhershëm”, karakteristika që nuk kanë të bëjnë me vlerat patriotike dhe me përkushtimin ndaj shtetit dhe objektivave të tij strategjike. Ai me veprimet e tij kundërshton ndryshimet kushtetuese që janë viza për ecurinë e mëtejshme të vendit drejt Bashkimit Evropian dhe kështu bëhet mohuesi kryesor i rrugëtimit të qetë të vendit drejt Brukselit.
Ndërsa, atë se Hristijan Mickoski nuk është një patriot por një nacionalist i zakonshëm, e tregon rrugëtimi i tij politik dhe sa herë që shikohet në atë pasqyrë, ndoshta tmerrohet dhe bëhet i egër. Sepse, në të gjitha ngjarjet e mëdha në Maqedoninë e Veriut, partia e tij VMRO-DPMNE ishte në pozicion negativ dhe në disa raste brutal.
Atdhetari, ndryshe nga nacionalisti, e do vendin e tij dhe e dëshmon këtë dashuri me përkushtim të përditshëm, duke bërë vepra të mira dhe duke kultivuar frymën e tolerancës, afërsisë dhe solidaritetit.
Hristijan Mickoski “shkel” me të dyja këmbët idenë më të vlefshme të qytetarëve: integrimin në BE dhe e ktheu Bullgarinë në “armik” të madh të shtetit. Për dallim nga Zoran Zaev, i cili ndërtoi marrëdhënie të shkëlqyera me të gjithë fqinjët tanë, përfshirë Bullgarinë.
Hristijan Mickoski gjen lloj-lloj frazash për botën, Amerikën, Evropën, por është e vështirë të gjesh një fjali në të cilën do të tregojë se sa shumë e do Maqedoninë e Veriut – përkundrazi, ka pafund fraza urrejtjeje – sa shumë urren të tjerët, Ali Ahmetin, Artan Grubin, Bujar Osmanin, Zoran Zaevin, Dimitar Kovaçevskin, Oliver Spasovskin… pra të gjithë të tjerët që nuk janë me të, apo që nuk mendojnë si ai.
Dhe e gjithë kjo që po ndodh tashmë në Maqedoninë e Veriut është rezultat i dy tezave antiperëndimore të mishëruara në veprën dogmatike të VMRO-DPMNE-së: tezës antishqiptare dhe asaj nacionaliste.
Profili politik i Mickoskit dhe mbështetësve të tij ka për qëllim parësor indiferencën ndaj së vërtetës. Të gjithë drejtuesit e kalibrit të tij duan dhe kërkojnë izolim, në fakt e kanë pasion këtë.
Dhe në gjithë këtë rrëmujë, nuk më shqetëson aq shumë profili i kësaj partie dhe i këtij njeriu, sepse kapaciteti i saj është infantil, por më shqetëson indiferenca ndaj së vërtetës dhe pasioni antiperëndimor që rrjedh me gëzim mes mbështetësve të saj.
Antievropianizmi është antimaqedonizëm!
Maqedonia e Veriut sot ka një opozitë që ka një mentalitet joperëndimor thellë në zemër – dhe kjo është goditja më brutale për vendin.
Procesi i integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut nuk varet më nga ajo që mendon Hristijan Mickoski apo çfarë do të presin politikanët e tjerë, por e ardhmja e vendit është në pikëpyetje, më saktë në cilin drejtim do të vazhdojë të ecë Maqedonia e Veriut.
Nëse të gjithë jemi dakord se duam ta shohim Maqedoninë e Veriut si një anëtare të barabartë të Bashkimit Evropian, atëherë duhet të marrim pjesë të gjithë së bashku në këtë proces dhe të arrijmë qëllimin që duam. Tani për herë të parë kemi mundësinë që vendi të fillojë negociatat pa një vendim politik. Serbia është tashmë në proces negociatash, Shqipëria do ti fillojë negociatat, Mali i Zi po negocion dhe fati i Maqedonisë së Veriut është i pasigurt, sepse korniza evropiane e negociatave për Mickoskin është një “diktat” bullgar.