Dhjetëra milionë USD të injektuar në Ujësjellësin e Durrësit nuk e kanë zgjidhur problemin e shkarkimit e ujërave të zeza në det, një bombë ekologjike që bie ndesh me planet e qeverisë për ta transformuar qytetin-port në një parajsë të turizimit elitar.
Nga Geri Emiri-BIRN
Megjithëse është zheg, Baki Myrtollari nuk resht së bëri ecejake përbri kanalit që përshkon lagjen e tij në periferi të Durrësit. Që kur u vendos këtu në vitin 2003, ai pa se si kanali shpejt u kthye në një ‘kolektor natyral’ që mbledh ujërat e përdorura të banesave dhe i shkarkon më tej në det.
Teksa pulit sytë nën diellin e fortë të gushtit, Myrtollari po mendon hapin e radhës në përballjen e tij të gjatë me autoritetet, që nisi 5 vite e gjysmë më parë, për të mundësuar rehabilitimin e kanalit dhe ofrimin e shërbimit nga Ujësjellës-Kanalizime Durrës.
‘Masakër mjedisore që i bëhet komunitetit të ish-Kënetës…me një popullsi mbi 45 mijë banorë, ujërat e zeza dhe uji i pijshëm bashkëjetojnë,’ tha Myrtollari me një ton denoncues.
Edhe pse qeveria ka plane të mëdha për zhvillimin e turizmit në Durrës, infrastruktura e amortizuar e trajtimit të ujërave të ndotura përbën ende një sfidë për qytetin bregdetar.
Ujësjellësi i Durrësit është i dyti më i madh në Shqipëri dhe kompania është mbështetur vazhdimisht nga donatorët dhe buxheti i shtetit, për të përmirësuar shërbimin e ofrimit të ujit të pijshëm dhe atë të kanalizimeve.
Pavarësisht kredive dhe përfitimeve të vazhdueshme në projektet dedikuar ujësjellës-kanalizimeve, të dhënat e siguruara nga BIRN nëpërmjet ligjit ‘Për të drejtë informimi’ dhe intervistat me ekspertët mjedisorë, tregojnë se një pjesë e madhe e bashkisë i shkarkon ujërat e ndotura në det të papërpunura.
Shkarkimet e ujërave të ndotura i kanë transformuar disa nga plazhet më popullore të qytetit në bomba ekologjike, të cilat kërcënojnë shëndetin e plazhistëve për shkak të ngarkesës së lartë mikrobike në ujë.
Auditet e Kontollit të Lartë të Shtetit dhe ekspertë mbi sistemin e ujësjellës-kanalizimeve fajësojnë keqmenaxhimin e fondeve dhe investimet pa planifikim të qartë, për dështimin e ndërmarrjes publike në përmirësimin e situatës.
Në një përgjigje me shkrim, Shoqëria Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Durrës sh.a. (SHRUKD) i tha BIRN, se ka një impiant për trajtimin e ujërave të ndotura (ITUN) me standarde evropiane – si pasojë e një investimi prej 11 milionë euro nga qeveria dhe Delegacioni i BE-së, por jo i gjithë rrjeti është i lidhur me këtë sistem.
‘Zona e plazhit – Ura Dajlanit-Plepa, i shkarkon totalisht ujërat e zeza në ITUN. Ndërkohë që kemi zona në qytet, si Shkozeti, Ish- Këneta, Spitalla apo Porto-Romano, të cilat janë pjesërisht të lidhura me Impiantin,’ tha SHRUKD.
‘Shkozeti ka rrjet miks kanalizimesh, të cilat i grumbullojnë ujërat e ndotura dhe shkarkojnë në kanale të hapura. Spitalla po ashtu, por pjesërisht ka rrjet të kanalizimeve. Ndërsa në Porto-Romano nuk ka rrjet fare dhe banorët duhet të operojnë me gropa septike,’ shtoi UKD, ndërsa theksoi se zonat rurale dhe ato informale që nuk kanë kanalizime, i shkarkojnë të patrajtura ujërat e ndotura në det.
Mungesë kanalizimesh
Në përpjekje për zhvillimin e turizimit elitar, qeveria shqiptare e udhëhequr nga kryeministri Edi Rama i dha me koncesion portin tregtar të Durrësit një investitori nga Lindja e Mesme, Muhamed Alabar, i cili synon ta transformojë atë në një marinë luksi për jahte, hotele dhe apartamente.
Duke i’u referuar një interviste të Alabar në rrjetin kabllor amerikan ‘CNN’, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se projekti i investitorit nga Emiratete Bashkuara Arabe do t’a transformojë Durrësin në një ‘Dubai të vogël të Mesdheut’.
Por ambiciet e qeverisë shqiptare duket se bien ndesh me infrastrukturën e amortizuar të kanalizimeve në qytetin bregdetar dhe keqmenaxhimin e ndërmarrjes publike të ujësjellës-kanalizimeve nga bashkia.
Sipas Raportit të Gjendjes në Mjedis për vitin 2021, përgatitur nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Ujësjellësi i Durrësit mbulon me shërbimin e ujësjellësit 90.8% të popullatës dhe me kanalizime vetëm 54.6%.
Infrastruktura e vetme për trajtimin e ujërave të ndotura në disa zona të qytetit pranë portit përbëhet nga kanalet e hapura, që dikur shërbenin për drenazhimin e tokave bujqësore.
Këto kanale nisin nga zona tashmë urbane e Shkozetit, përshkojnë më tej zonën e ish-Kënetës dhe atë të Porto-Romanos dhe degëzohen përmes 26 kanaleve sekondare që tërhiqen nga hidrovori i Porto-Romanos dhe shkarkohen në det, së bashku me ‘ujërat e zeza’ të zonës së Spitallës.
‘Për sa i përket ekosistemit, aty praktikisht në shumicën e rasteve është i vdekur. Mos mendoni se aty ka ndonjë ekosistem ku gëlon jeta, apo që ka peshk. Nuk ka për shkak të ndotjes së akumuluar dhe të hipertrofikimit,’ tha Olsi Nika, drejtues ekzekutiv i organizatës mjedisore ‘Eco Albania’.
‘Problemi është se kjo ndikon edhe në det, sepse të gjitha këto kanale grumbullohen në kolektorët kryesorë, që më pas shkojnë në det në zonën e Porto-Romanos dhe kjo e shtrin ndikimin e vet edhe në det,’ tregoi Nika, i cili është autori i një studimi shkencor për zonën.
Mungesa e kanalizimeve shkakton ndotje të lartë organike të ujërave sipërfaqësore si pasojë e shkarkimeve urbane të patrajtuara dhe vlerat e tejkalojnë normën e lejuar në stacionin e monitorimit në Porto-Romano.
Ky stacion është i vetmi në Shqipëri ku përmbajtja totale e fosforit për vitin 2021 është vlerësuar mbi normën e lejuar.
‘Këto ujëra dhe eutrofikimi që ato mbartin çon në varfërimin me oksigjen, çon në dëmtimin e të gjithë botës së gjallë rreth e rrotull,’ thotë hidrobiologu Aleko Miho, profesor në Departamentin e Biologjisë, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në Universitetin e Tiranës.