“Ali Ahmeti është xhaxhai im dhe Zoti e bekoftë. Ai është motivimi im. Ahmeti e ndihmoi këtë vend. Nuk do ta kishim Maqedoninë sot nëse do të ndiqnim Ljubço Georgievskin, i cili do ta kishte ndarë vendin. Ali Ahmeti nuk e ka firmosur dhe nuk e vlerësoni sa duhet. Jam krenar që e kam xhaxha, por ai nuk ka lidhje me biznesin tim. Zero. Ajo që po bëjnë mediat tani është duke dëmtuar rrjetin tim të bashkëpunëtorëve.”
Këto fjali i tha Drin Ahmeti, biznesmeni 24 vjeçar, i cili sot mbajti një konferencë me mediat për të sqaruar lidhur me blerjen e aksioneve në qendrën afariste “Soravia” në Shkup.
Drin Ahmeti shpjegoi se si e bleu qendrën tregtare “Soravia” në Shkup
Nipi i liderit të BDI-së Ali Ahmeti, Drin Ahmeti, së bashku me partnerin e tij nga Tirana, kompania PE-VLA-KU , treguan detajet për procesin e blerjes së qendrës tregëtare Soravia, por duke mos treguar shumën totale.
Ahmeti dhe Vladimir Pjetërgjokaj nga kompania PE-VLA-KU kanë tërhequr linjë kreditore nga banka Credins me vlerë 6 milion euro me qëllim mbulimin e borxhit të kompanisë prej 20 milion euro.
“Unë nuk kam investuar asnjë qindarkë në blerjen e Soravias. Borxhi i kompanisë është 20milion euro. Kompania PE-VLA-KU me përfaqësues Vladimir Pjetërgjokaj ka marë linjë kreditore prej 6milion euro në Shqipëri. Ne e kemi marë përsipër këtë borxh sepse kemi projekt zhvillimor”, tha Ahmeti.