Shoku i keq të le në baltë! Nuk kanë thënë kot, populli ka ditur të gjykojë. Kështu dhe Bullgaria po dëshmon gjithnjë e më shumë se është një shok (lexo: fqinj, mik) i keq i Maqedonisë.
Prej se është nënshkruar Marrëveshja për Bashkëpunim dhe Fqinjësi, sikur gjërat kanë marrë drejtimin e gabuar. Sipas asaj fjalës tjetër unë ta jap dorën, ti ma lyp krahun.
Sapo u shpreh një gatishmëri për t’i rregulluar disa çështje historike, Bullgaria e kuptoi këtë si dobësi të Maqedonisë.
Qarqet bullgare, së pari disa margjinalca nacionalistë, si Karkaçanovi, e pastaj u rreshtuan “kuçi e maçi” në një vijë: t’ia bëjmë fqinjit jetën zi e më zi. Edhe kur u bë një hap plotësues, me atë të famshmin protokoll, edhe pse mendoj se Maqedonia nuk duhej të hynte në aventurë të ridefinimit të Marrëveshjes së mëparshme që nuk kishte kushte të rënda, Bullgaria edhe më shumë shtoi presionin ndaj Maqedonisë. Ditëve të fundit, që nga eurodeputetë e deri te kryetari Radev, sikur nuk dinë të ndalen së mohuari e së provokuari.
Harruan se këtu në Maqedoni po zhvillohet një betejë midis pushtetit fleksibil, i gatshëm për kompromise në të mirë të dy vendeve, që me çdo kusht dëshiron t’ia lehtësojë rrugën evropiane vendit, rrugë kjo që shkon përmes rregullimit të çështjeve të ndejshme nga historia.
Ndërkaq kundër kësaj janë subjekte të cilat dhe kanë vërejtje serioze ndaj këtij procesi me lëshimet tejmase që i cenon disa parime demokratike dhe liri të të drejtave të njeriut. Kështu është asimetrik kontributi i fqinjit që ka pranuar të fusë bullgarët në preambulë, kurse Sofja përgjigjet me mohimin e ekzistimit të pakicës maqedonase. Madje vijnë dhe në parlamentin e Maqedonisë dhe shesin arrogancë. Në këtë mënyrë, ato iu ndihmojnë pikërisht atyre forcave politike që janë kundër normalizimit të marrëdhënieve me Bullgarinë, sepse nëse i vënë në zgrip qeveritarët fleksibilë,s’do të mbetet kush ta zhvillojnë këtë proces. Ndaj dhe janë tejet parimore përgjigjet që morën nga Pendarovski dhe Kovaçevski.
(Nga kolumna “Fqinji i keq” dhe “aventura shpirtërore” e Zhaklinës!”, botuar në gazetën “Koha”)
Shkrimi i plotë: https://www.koha.mk/fqinji-i-keq-dhe-aventura-shpirterore-e-zhaklines/