Albert Dabiqaj, i Dritës është zgjedhur “Ylli i javës” në Superligën e Kosovës në xhiron e 14-të.
Dabiqaj këtë çmim e fitoi pasi që të hënën ishte fantastik në paraqitjen e tij kundër Llapit, duke e përmbysur rezultatin me hat-trickun e tij dhe duke ia dhuruan fitoren me rezultat 3:1 skuadrës nga Gjilani.
Drita tani ka një epërsi prej pesë pikësh nga vendi i dytë, ku qëndron kampioni në fuqi Ballkani, me të cilin do të përballet në xhiron e ardhshme.
Pas vlerësimit të marrë ai u shpreh i lumtur.
“Kishim një ndeshje mjaft të vështirë, me Llapin u kthyem nga disavantazhi në 3:1. Të kthesh rezultatin nuk është aspak e lehtë. Personalisht, si Dabiqaj, ky ishte het-triku i parë në karrierën time në Superligë dhe ky është një moment i jashtëzakonshëm. Jam i lumtur me ecurinë e skuadrës dhe duhet të vazhdojmë kështu. Në xhiron e ardhshme shkojmë tek kampioni në fuqi, FC Ballkani, që është një skuadër e jashtëzakonshme dhe ka një ecuri si vendas të pamposhtur, por ne do të shkojmë ta luajmë lojën tonë. Falënderoj bashkëlojtarët, stafin e trajnerëve, sepse pa ta nuk do të kaloja në këtë formë”, tha ai për faqen zyrtare të FFK-së transmeton Klankosova.tv