Kundëranaliza e Paul Pogbasë, i cili doli pozitiv në testin antidoping pas ndeshjes kundër Udineses, është planifikuar për më 5 tetor. Nëse këto analiza të reja nuk e ndryshojnë situatën, lojtari i Juventusit do të përballet me një skualifikim të gjatë dhe në atë moment Juventusi, që e ka pezulluar lojtarin si masë paraprake dhe i ka bllokuar pagën, do të duhet të kthehet në treg që në janar për të gjetur zëvendësuesin e francezit.
Kush mund të jetë pasuesi i Pogbasë? Sipas “Gazzetta dello Sport”, emri në krye të listës së Cristiano Giuntolit është ai i Pierre-Emile Hojbjerg, një futbollist që konsiderohet i paprekshëm te Tottenhami i ri i trajnerit Postecoglu. Alternativat për mesfushorin e “Spurs”-ave janë të gjithë francezë: Manu Koné i Gladbachut, Youssouf Fofana i Monacos dhe Habib Diarra i Strasburgut.Juventusi tashmë është në kontakt me ambientin e lojtarit dhe synon një huazim me të drejtë blerjeje. Tottenhami, për momentin, nuk po e vlerëson këtë opsion. Kartoni i Hojbjerg vlerësohet rreth 30 milionë euro.