Zv. kryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi foli në konferencën vjetore të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP), ku u diskutua me temën “Sfidat e kompanive në RMV, në sigurimin e fuqisë punëtore në epokën e globalizimit dhe digjitalizimit”.
“Vetë Bashkimi Evropian po vuan mungesën e fuqisë punëtore, pasi në analizën e publikuar së fundmi nga “Instituti i Sindikatave Evropiane”, në periudhën 2019-2022, në Evropë është vërejtur një mungesë rekord e fuqisë punëtore, dhe si arsye janë përmendur pagat e ulëta dhe kushtet e punës. Vetëm vitin e kaluar, një e katërta e bizneseve të BE-së raportuan probleme prodhimi si rezultat i mungesës së fuqisë punëtore”, tha Bytyqi.
“Shifrat që do t’ju tregoj mund të duken paradoksale dhe kontradiktore, por këtu është gjeneza e problemit të kompanive tona në gjetjen e punëtorëve. Aktualisht në Agjencinë e Punësimit ka disa mijëra vende të lira pune, ndërkohë që në të njëjtën Agjenci janë regjistruar mbi 115 mijë të papunë, shifra kontradiktore në pamje të parë, por realiteti është se këta të papunë nuk janë të trajnuar për profesionet që kërkon tregu i punës”, tha Bytyqi.
“Është i nevojshëm bashkëpunimi për ta futur këtë në arsimin formal dhe joformal sepse digjitalizimi ka sjellë një epokë të re, shfaqjen e teknologjive dhe mjeteve të reja që kërkojnë aftësi dhe njohuri specifike”, tha zëvendëskryeministri Bytyqi dhe tha se në epokën digjitale, kompanitë duhet të kapërcejnë hendekun me investimin në trajnim dhe zhvillim, në mënyrë që të jetë në hap me trendet dhe teknologjitë më të fundit për tërheqjen dhe ruajtjen e punëtorëve cilësorë”, shtoi Bytyqi./Telegrafi/