Këngëtarja me prejardhje shqiptare, Bebe Rexha, i ka shtuar 13-kilogram pasi u diagnostikua me sindromën e vezores policistike, ndryshe e njohur si PCOS.
Pop ylli 33-vjeçar ishte diagnostikuar nga mjekët me këtë sëmundje – që shkakton një çekuilibër hormonal – vitin e kaluar dhe tani ka vendosur t’ia shpjegojë publikut se problemet shëndetësore e kanë shkaktuar ndryshimin e peshës së saj. Megjithëkëtë, ajo është e vendosur të qëndrojë pozitive dhe të kujdeset për veten sa më mirë që është e mundur.
Gjatë një interviste për emisionin “The Jennifer Hudson Show”, Bebe tha: “Vitin e kaluar shkova te mjeku dhe ai më diagnostikoi me sindromën e vezores policistike. Në fakt shumë gra e kanë këtë sëmundje por nuk janë në dijeni për këtë. PCOS është një nga shkaqet kryesore pse gratë shtojnë peshë dhe janë obeze. Unë sinqerisht i shtova 13 kilogram me një shpejtësi marramendëse. Por pavarësisht të gjithave, ne duhet të qëndrojmë pozitiv dhe t’iu dhurojmë njerëzve sa më shumë dashuri”.
Rexha po ashtu tregoi se është ndier e tronditur nga komentet negative për ndryshimin e formave të së saj trupore, dhe deklaroi se njerëzit dashakeq në rrjetet sociale nuk e dinë se çfarë po kalojnë personazhet publike në jetën e tyre private.
“Dëgjo, ne jemi persona publik prandaj është e natyrshme që komente të tilla do të bëhen. Unë dikur isha shumë më e dobët dhe tani është e vërtetë se kam shtuar peshë, por kjo gjë është normale. Nuk jam zemëruar që e potencojnë faktin se kam ndryshuar në peshë, sepse është e vërtetë. Por, kur dëgjon komente negative dhe ofenduese për ty online, sigurisht se ndikojnë dhe mërzitesh. Ti nuk e din se çfarë po përjeton dikush apo çfarë po kalon në jetën e saj. Dhe në fund të fundit, jemi në vitin 2023 dhe nuk është në rregull të flasim për peshën e njerëzve. Po ashtu, mua më pëlqen të ha dhe e adhuroj ushqimin, në rregull”.
Deklaratat e Bebes vijnë pak kohë pasi e pranoi publikisht se është shqetësuar kur ka vënë re që pesha e saj po diskutohet në TikTok, si dhe u kërkoi fansave që të ndalojnë së gjykuari njëri-tjetrin në bazë të përmasave trupore.watch (2)