Kanë reaguar nga Bashkimi Demokratik për Integrim ndaj deklaratës së ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovskit, i cili tha se një ish-kryetar komune nga BDI ka qenë i përfshirë në incidentet e 28 nëntorit.
Këto akuza nga BDI i quajnë të pabaza dhe përpjekje për të devijuar vëmendjen nga dështimet e MPB-së.
“Ky është i njëjti ministër që, një ditë para se të arrestohej një person me aftësi të kufizuara mendore si autor i djegies së makinave në Kumanovë, deklaronte publikisht se kishte “të dhëna operative” për një grup të sofistikuar të organizuar që qëndronte pas sulmit. Si mund të besohet një ministër që ka dëshmuar një paaftësi kaq të theksuar për të trajtuar situata të thjeshta dhe që vazhdimisht shpërndan informacione të pavërteta? Tani, ky i njëjti ministër guxon të bëjë deklarata të papërgjegjshme duke përfshirë një ish-kryetar komune nga BDI-së në organizimin e incidenteve të Ditës së Flamurit, pa asnjë provë konkrete, thjesht për të mbuluar dështimet e tij në menaxhimin e sigurisë publike dhe rritjen dramatike të kriminalitetit në vend”, thonë nga BDI.