Media mezi presin të kapen në diçka që mizën ta bëjnë buall!
Herën e fundit këtë e bënë me një përemër pronor që ka përdorur Zëvendëskryeministri i Parë, Artan Grubi kur dje e kishte pritur yllin e ri të futbollit, Jasir Asanit, për shkak se e paska thënë në postim se e ka pritur “futbollistin tone”!
Në kushtet e reja që i ka krijuar globalizmi, sportistët nuk janë më të kufizuar dhe ata janë të lirë të zgjedhin kushtet, rrethanat dhe vendin ku të luajnë, me një fjalë, janë të lirë të ecin shtigjeve të karrierës që duan vetë.
Përveç se kanë angazhime potencialisht në të gjitha klubet e botës, ata mund të zgjedhin edhe për cilin vend do të luajnë.
Kështu deri tash kemi pasur pa numër futbollistë shqiptarë nga Maqedonia ose Kosova që kanë luajtur jo vetëm për Shqipërinë, por dhe për Zvicrrën, Gjermaninë, Belgjikën, Norvegjinë… Ka pasur shqiptarë që kanë luajtur për Serbinë dhe ka nga Serbia që luajnë për reprezentacione kombëtare të tjera. Ke kroatë që i gjen në fanellën e Australisë apo Amerikës, të cilët kanë mundur lirisht të luajnë për vendin e origjinës. Ke pasur brazilianë që kanë luajtur për Kroacinë ose Maqedoninë, madje dhe basketbollistë amerikanë për kombëtaren e Maqedonisë…
Kjo është pra situata. Cilidoqoftë që ka një origjinë, ai mbetet gjithnjë i asaj origjine. Edhe Jasir Asani është shqiptar nga Maqedonia dhe do të mbetet si i tillë. Familja e tij jeton në Maqedoni pavarësisht se ai ka zgjedhur të luajë për Shqipërinë.
Dy vëllezërit Xhaka, njëri luante për Zvicrën, tjetri për Shqipërinë, çka t’u thuhet atyre!? Mund t’u themi “tanë” në cilësinë e përkatësisë etnike, mund t’u thonë në Kosovë “tanët”, sepse janë me origjinë nga Kosova, por dhe zviceranët njësoj, sepse familjet e tyre jetojnë atje. Shumica prej tyre kanë edhe nga dy shtetësi.
Pra, nëse duam ta bëjmë mizën buall, e bëjmë, nëse duam ta marrim me qetësi, nuk ka asgjë të keqe t’i thuash “futbollisti ynë” një shkupjani, kudo që të luajë.