Prioritet mbi prioritetet për vendin është që vendi t’i fillojë negociatat për anëtarësim në BE, vlerëson lideri i BDI-së, Ali Ahmeti. Sipas tij, ky do të ishte shërbimi më i madh që politikanët do të mund të ia bënin vendit.
“Ne na mundësohet të fillojmë negociatat për anëtarësim në BE, andaj prioritet mbi prioritetet është se si të arrijmë deri te dakordësia për këtë ndryshim dhe mbajtjen e mbledhjeve ndërqeveritare që duhet të mbahet në fund të këtij viti. Shërbim më të madh njerëzve se sa anëtarësimi në BE nuk di që mund t’u bëhet.”,- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, përcjell Politiko.makdomen.net
Sipas kreut të integristëve, zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk janë zgjidhje.
“Zgjedhjet do të mbahen në afatin e rregullt, në pranverë të vitit të ardhshëm, kurse në plotësim, nëse VMRO-së i pengon të qenurit e BDI-së në drejtim të vendit, ne me automatizëm kemi paraqitur vullnetin e fortë dhe qëndrojmë pranë atij vendimi, ne tërhiqemi nga ekzekutivi në momentin që ata votojnë ndryshimin e Kushtetutës.”.- theksoi Ahmeti.
Këto komente Ahmeti i bëri në komunën e Sarajit, ku i shoqëruar nga kryetari i komunës së Sarajit, Blerim Bexheti, dhe kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska, qëndruan në Rashçe, për të mbikëqyrur punimet në rezervuarin e Ujësjellësit “Rashçe”, për përmirësimin e sistemit të ujësjellësit.