Eh, ky fjalori diplomatik! Është si ajo fjala popullore “të rreh, e s’të le të qash”!
Ai ishte në Shkup, dha disa mesazhe të drejtpërdrejta, ose “ezopiane” nëse dikush “bëhet Tosho” për të mos i kuptuar. Por, edhe nëse ata që e kanë pare veten në fjalët e tij e sillen sikur nuk janë për ta, e kanë marrë interpretimin nga të tjerët.
“Ka një ofertë në tavolinë. Dhe nëse doni të dini për dikë se kush është dhe si do të veprojë kur të jetë në pushtet, shikoni se si do të reagojë ndaj kësaj oferte. Nëse thonë, në mënyrë shumë të qartë, këtu është alternativa, dhe besoj se është e pranueshme për të tjerët, atëherë mund të gjykoni nëse kanë të drejtë apo jo. Nëse ata thonë – kam një ofertë më të mirë, por nuk do t’ju them se çfarë është – ky është një person nga i cili nuk do të blini një makinë. Epo, nuk mendoj se duhet t’i votoni as ata”.
Kështu tha Xhejms O’Brajan, ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, i pyetur për qëndrimin e VMRO-DPMNE-së për ndryshimet kushtetuese.
Tash dikush mund të bëhet sikur nuk është ky mesazh për të. Mirëpo, kjo është diplomacia,ndonjëherë të flet drejtpërdrejt, ndonjëherë rretherrotull. Që të mos mbeten gjërat pashë, s’pashë, dëgjova, s’dëgjova, ka kush kujdeset që popullit gjërat t’ia bëjë më të qarta.
Psh., Aleksandar Mitovski, pronar i portalit infomax, i ka dhënë tone ironike këtij mesazhi, duke ia bërë me dije liderit të VMRO-së, Hristijan Mickoski, se çfarë është në të vërtetë porosia e diplomatit amerikan.
“Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane, i dyti në rang pas Blinken, O’Brien thotë se nga Hristian Mickoski as që do të blinte veturë, e lëre më ta votonte…Gjatë rrugës na këshilloi që të mos e votojmë…se është gënjeshtar. Hochstapler. Shesh-besh. Njeri i pandershem…Amerët e lexuan si abetare fshati…O’Brien sapo konfirmoi atë që ne kemi folur për një vit e gjysmë. Mickoski është bandit. Manipulues. Fatkeqësisht, Mickoski është edhe njeriu që për shkak të mendjelehtësisë, lakmisë dhe gënjeshtrës e solli partinë në këtë gjendje. Për të humbur mundësinë për të fituar përsëri. Tani as koalicioni me opozitën shqiptare nuk do të thotë asgjë për të, sepse e kanë marrë drejtimin, pikërisht nga O’Brien…”
Kështu pakashumë përmbledhtas ishte interpretimi i këtij gazetari, i cili thotë qatë se një deklaratë e tillë nuk është bërë nga asnjë diplomat i huaj në 30 vitet e fundit. “Dhe në kriza shumë më të mëdha. Ne ishim në luftë, nuk kishte deklarata të tilla”, ka shkruar ai.
Pra, nuk ka shumë hapësirë për komoditet. Edhe Mickoski u takua me O’Brajanin, dhe sigurisht që ka marrë edhe drejpërdrejt mesazhin se amerikanët e përkrahin Maqedoninë në rrugën e integrimit evropian dhe si të ecet në atë rrugë.
“Ne mbështesim fuqimisht aspiratat e Maqedonisë së Veriut për BE – kjo është një aspiratë e qartë e shumicës. Keni të drejtë, disa struktura politike mendojnë ndryshe, disa mund të marrin para nga disa vende, disa kanë aspirata legjitime të pikëpamjes së pakicës. Por unë mendoj se shumica dëshiron të jetë pjesë e Evropës dhe ne e mbështesim këtë. Ky kompromis i veçantë ne mendojmë se është vetëm një pjesë e mënyrës se si një vend bëhet plotësisht evropian… Ka një ofertë në tavolinë, duhet ta pranoni. Nëse nuk e pranoni, po i ktheni shpinën historisë, sinqerisht. ..Ajo që më pëlqeu në vendin kur erdha për herë të parë pothuajse 30 vjet më parë ishte se sa të etur ishin të gjithë për të qenë pjesë e këtij projekti më të madh të quajtur BE. I inkurajoj të gjithë liderët politikë që ta shfrytëzojnë këtë mundësi”, deklaroi diplomati amerikanë në intervistën për “360 shkallë”.
Porosia e tij është sa për Mickoskin, i cili u bën obstruime ndryshimeve kushtetuese, aq edhe për forcat tjera politike, mes tyre edhe atyre shqiptare, se çfarë do të nënkuptonte një rrugë tjetër me destinacion të panjohur.
Ai e vuri në dyshim alternativën tjetër dhe të panjohur, ndaj dhe e tha se çka është mirë dhe çka përkrahin SHBA-të dhe se, don apo s’don ta kuptosh, kurrë nuk është vonë të rreshtohesh drejtë, në drejtimin e duhur të historisë.
Mickoski ka krijuar një iluzion të rremë te publiku se gjoja në veprimet e tij është i koordinuar “fshehtas” me amerikanët. Ketë gjë ia kujtoi edhe gazetari i sipërcituar. Por, tash, a mos dolën këmbët përjashta?
Vërtet, a i pa “yjet” Mickoski nga këto fjalë-“flakareshë”, të drejtuara atij?