Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë një nderim të veçantë nga një universitet prestigjioz në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo është nderuar me “Çmimin për Qytetari Globale” nga Universiteti Drake në Iowa, një çmim që njeh kontributin e personaliteteve botërore për paqen, demokracinë dhe zhvillimin.
Osmani shfrytëzoi këtë rast për të zhvilluar një bisedë kuptimplotë me profesorë dhe studentë të Universitetit Drake, ku foli për rrugën e Kosovës drejt pavarësisë si dhe sfidat me të cilat po përballet vendi i saj. Ajo theksoi se Kosova ka nevojë për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së dhe aleatëve të tjerë për të siguruar stabilitet, prosperitet dhe integrim euroatlantik.
Osmani falënderoi universitetin për nderin që i është bërë dhe e vlerësoi bashkëpunimin në fushën e arsimit si kyç për avancimin dhe thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Iowa-s. Ajo shtoi se shpreson të vizitojë sërish Iowa-n në të ardhmen. (politiko.mk)