Një deklaratë e përbashkët e SHBA-së dhe BE-së, e miratuar në një samit të mbajtur më 20 tetor në Uashington, ka bërë thirrje për zbatimin “të shpejtë dhe të pakushtëzuar” të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ka kërkuar që të dy vendet të rifillojnë dialogun e ndërprerë.
Samiti kishte të ftuar presidentin amerikan, Joe Biden dhe si përfaqësues të BE-së, presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel dhe përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.
Deklarata ka rikonfirmuar angazhimin e dy palëve për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën evropiane të rajonit, duke u bërë thirrje partnerëve të vazhdojnë reformat e nevojshme për të avancuar në rrugën e integrimit evropian.
Në një pjesë të veçantë të deklaratës është trajtuar edhe çështja e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke nënvizuar nevojën që dy vendet të ulin tensionet dhe të zbatojnë Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, e cila parasheh njohjen reciproke të dokumenteve shtetërore dhe simbolet, duke përfshirë pasaportat, diplomat dhe targat.
Deklarata u bë një ditë para se pesë diplomatë të lartë perëndimorë të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë me qëllim të ringjalljes së dialogut mes dy vendeve. Vizitat janë organizuar nga Bashkimi Evropian, i cili ka emëruar Miroslav Lajçakun si të dërguarin e tij për dialogun Kosovë-Serbi. Ai do të shoqërohet nga Gabriel Escobar, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Emanuel Bonne nga Franca, Jens Plotner nga Gjermania dhe Francesco Talo nga Italia.
Diplomatët perëndimorë kanë theksuar se zbatimi i Marrëveshjes së arritur më 27 shkurt në Bruksel është kusht i domosdoshëm për afrimin e dy vendeve me BE-në. Kosova dhe Serbia kanë qenë në dialog për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011 përmes BE-së, por shumë prej marrëveshjeve ende nuk janë zbatuar. (politiko.mk)