Ish-Presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç, ka thënë se sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, ishte përgatitur për të nxitur luftë, teksa foli edhe për implikimin e institucioneve të Serbisë në këtë ngjarje. Ai ka bërë këto deklarata në një intervistë për agjencinë kosovare të lajmeve “KosovaPress” .
“Kur një ditë të analizohet, dhe ka arsye për të folur për të, nuk ishte ekses, kjo ishte përgatitur dhe në këtë kanë marrë pjesë disa institucione, të cilat mund të sjellin njerëz të armatosur me pajisje, domethënë pajisje për luftë, bomba, me mitraloza të rëndë, automjete të blinduara”, tha Mesiç.
“Kështu që gjithçka ishte përgatitur për një provokim të madh për të ngritur njerëzit nga rrethina, që ata të reagojnë dhe pastaj Serbia të shfaqet si ajo që do të zgjidhë gjërat, dhe në fakt është politika serbe e cila dëshiron të integrojë një pjesë të Kosovës në territorin e saj”, shtoi.
Sa i përket reagimit të institucioneve të Kosovës për ngjarjen e 24 shtatorit, ai i konsideron si tejet të duhura. Ai tha se Kosova ka treguar pjekuri dhe durim dhe se ka mbajtur një qasje konstruktive në dialogun me Serbinë.
Mesiç është njohur si një mbrojtës i fuqishme i pavarësisë së Kosovës dhe një kritik i ashpër i politikave nacionaliste serbe. Ai ka vizituar shpesh Kosovën dhe ka mbajtur kontakte me liderat e saj politik. (politiko.mk)