Në një intervistë për gazetën franceze “Liberation”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë ku mbeti i vrarë polici kosovar, Afrim Bunjaku. Ai ka akuzuar Serbinë se ka organizuar dhe financuar një grup terrorist që kishte synim të aneksonte pjesën veriore të Kosovës dhe të shkaktonte destabilizim në vend.
Kurti ka thënë se ky ishte një akt agresioni i Serbisë, i cili cenoi sovranitetin dhe sigurinë tonë kombëtare. Ai ka shtuar se vlera e armëve dhe pajisjeve të sekuestruara arrin në më shumë se 5 milionë euro dhe se terroristët kishin harta dhe plane për të sulmuar në 37 pika, duke përfshirë institucione, objekte strategjike dhe personalitete publike.
Kreu i Qeverisë ka zbuluar se sipas hetimit, grupi terrorist kishte lidhje me strukturat paralele serbe në veri të Kosovës dhe me zyrtarë të lartë të Beogradit. Ai ka thënë se nuk i beson deklaratave të Milan Radojçiqit, një lider politik serb në veri të Kosovës, i cili doli dhe mori përgjegjësinë për sulmin. Kurti ka kërkuar nga Serbia të bashkëpunojë me autoritetet e Kosovës për zbardhjen e plotë të këtij rasti dhe për dorëzimin e autorëve dhe organizatorëve të tij. (politiko.mk)