Osmani: Faktori ndërkombëtar t’i bëjë presion Vuçiqit

1 min read

Presidentja e vendit Vjosa Osmani ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar që të bëjë presion mbi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq për t’i dhënë fund ndikimit negativ ndaj qytetarëve serbë në veri të Kosovës.

E para e shtetit ka thënë se është çështje ditësh kur do të përfundojë baza ligjore sa i përket afateve dhe procedurave lidhur me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri.

“Pasi të përfundojë kjo i takon pastaj qytetarëve në veri nëse do ta shfrytëzojnë këtë të drejtë apo jo. Është esenciale që komuniteti ndërkombëtar të kërkoj nga Vuçiqi që të ndërpresë ndikimin negativ, frikësimin e qytetarëve dhe dhunën që përdoret nëpërmjet strukturave ilegale ndaj qytetarëve në veri dhe t’i lejojë ata të shfrytëzojnë të drejtat e tyre që garantohen edhe me kushtetutë edhe me ligj”, ka thënë Osmani në konferencë për media në Dragash, Behxhet Xheladini.

Ajo tutje u shpreh e bindur se qytetarët serbë dëshirojnë ta shfrytëzojnë të drejtën që përmes peticionit të shpallen zgjedhjet e parakohshme. “Këtë bindje e kam nga komunikimet që i kemi çdo ditë. Ata dëshirojnë ta shfrytëzojnë këtë të drejtë në mënyrë që të kenë zgjedhje të jashtëzakonshme dhe t’i zgjedhin kryetarët e komunave që marrin votat e qytetarëve në zgjedhje të lira e demokratike. Por deri më tash nuk shoh ndonjë vullnet nga presidenti serb që ai të ndërpresë agresionin institucional që vazhdimisht e kryen në raport me fqinjët. Nuk shoh nga ai vullnet që të ndërpresë dhunën që përmes strukturave kriminale vazhdimisht e ushtron ndaj qytetarëve tanë në veri. Prandaj presioni duhet të jetë në Beograd, që më në fund Beogradi të fillojë të sillet në përputhje me standardet evropiane e jo si një shërbëtor besnik i Putinit dhe vetëm i Putinit”, ka shtuar presidentja Osmani.

Previous Story

Ejup Rrustemi për rrugën Tetovë-Prizren: Procedurat para nisjes më së voni në shtator

Next Story

Vrasja e 65-vjeçarit në Mitrovicë, Prokuroria dhe Policia po vazhdojnë hetimet

Latest from Blog