Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pasi që Policia e Shqipërisë ka arrestuar asamblistin e Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Mujecin, për shitje dhe trafikim të lëndëve narkotike në Shqipëri dhe doza e sekuestruar nga operacioni policor kap shifrën e 400 mijë eurove.
Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku fillimisht tha se muaj më parë, Lëvizja Vetëvendosje kishte provuar me pazaret më të pabesueshme të mundshme, të përmbyste vullnetin e qytetarëve të Prishtinës, duke kapur ndërmarrjet publike të Kryeqytetit”.
“Kjo tentativë e trishtë e tyre, kishte dështuar pa nisur mirë; ndonëse përballë na shpërfaqeshin grupet kriminale më të çuditshme. Se si ishin bërë bashkë të gjithë kundër shumicës sonë; ishte sa dëshpërim për nivelin politik në vend, aq dhe befasi. Kishte një interes që nuk e kuptonim dot atëherë”, shkroi ai në Facebook.
Sipas tij, “synim asokohe – ndër të tjerash – ishte dhe marrja e Stacionit të Autobusëve të Kryeqytetit”.
“Sot, teksa një asamblist i tyre është arrestuar me plot 11 mijë doza narkotikësh në vlerë prej gjysmë milioni euro; si pjesë e një rrjeti që me linjat e autobusëve Prishtinë – Tiranë bartnin narkotikë në vazhdimësi; nuk ka se si të mos rikujtojmë insistimin e opozitës së Kryeqytetit, Lëvizjes Vetëvendosje, për ta vendosur të njëjtin asamblist – pikërisht këtë pra – si aksionar në këtë Stacion. Jo Termokos, Prishtina Parking, NPB, Pallat të Rinisë apo dhe secilën ndërmarrje tjetër në Kryeqytet, por vetëm në Stacion; aty ku linjat e autobusëve niseshin për çdo ditë”, potencoi ai.
Pazaret e tilla, theksoi kreu i LDK-së, “duket se kanë patur një qëllim më të thellë”.
“Prandaj dhe grupet, prandaj dhe nisma, prandaj dhe insistimi atëherë”.
Ndërsa, ai i bëri thirrje Prokurorisë së Shtetit që ta hetojë këtë rast; “në veçanti njerëzit e përfshirë në këtë skemë dhe mbështetjen politike që kanë marrë në gjithë këtë proces”.
“Qytetarët e Prishtinës i sigurojmë se bandat e tilla narkotike, s’do të kenë asnjëherë hapësirë në Kryeqytet. Prishtina e para ka provuar mashtruesit, e para është liruar nga ta. Po punojmë, nëpërmjet ‘Rrugës së Re’ për përfundim të njëjtë në gjithë Kosovën”.
Ndryshe, Policia e Shqipërisë ka arrestuar asamblistin e Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Mujecin, për shitje dhe trafikim të lëndëve narkotike në Shqipëri dhe doza e sekuestruar nga operacioni policor kap shifrën e 400 mijë eurove.
Ai ishte pjesë e një grupi kriminal që transportonte lëndë narkotike drejt Shqipërisë.
Mujeci përndryshe është i emëruar aksionar në Ndërmarrjen publike ‘Stacioni i Autobusëve’.
Ishte pikërisht autobusi, mjeti me të cilin Mujeci transportonte lëndët narkotike.
Lënda narkotike me të cilën është kapuar Mujeci është ekstazi.
Sic ka treguar policia shqiptare “të arrestuarit janë lokalizuar në kryqëzimin e rrugës ‘Myslym Shyri’ dhe ‘Sami Frashëri’, së bashku me dërgesën me lëndë të dyshuar narkotike, prej 11 mijë e 300 tabletash ekstazi MDMA, me peshë 5.093 kg dhe vlerë tregu rreth 400 mijë euro”.
Në një konferencë për media, policia shqiptare ka treguar gjithashtu se “nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas duke shfrytëzuar fluksin e sezonit turistik i kalonin dërgesat nëpërmjet linjave te autobusëve Prishtinë-Tiranë. Pasi dërgesat arrinin në Tiranë transportoheshin me auto vetura të marra me qira në Tiranë dhe qytete tjera, kryesisht ne bregdetin e Shqipërisë dhe vendet e shkëmbimit caktoheshin ne vende publike me shumë lëvizje dhe fluks njerëzish. Për arritjen e marrëveshjeve me shpërndarësit e drogave sintetike me Shqipëri trafikantët kërkonin pagesa me para dhënie ose lënien e automjeteve si garanci”.