Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se nëse ai nuk do të ndërmerrte veprimin për të dërguar në veri të vendit kryetarët e komunave, atëherë aty do të ishin vendosur strukturat ilegale serbe.
Kurti thekson se krytetarët e komunave nuk mund të vendoseshin në vend tjetër përveçse në zyrat e tyre pasi në të kundërt Kosova do të krijonte struktura paralele përballë strukturave paralele ilegale serbe që mund të krijoheshin në veri.
Në një intervistë për ‘Geopost’, Kurti ka treguar se ai është në komunikim të vazhdueshëm edhe me faktorin ndërkomnbëtar për situatën në veri të Kosovës.
“Unë jam në komunikim të vazhdueshëm me ambasadorët e KUINT-it në Kosovë dhe natyrisht që kur u njoh procesi zgjedhor të cilin e patëm shtyrë për katër muaj në katër komunat në veri, kur u njoh rezultati, kur u njoh rezultati, kur u njoh betimi ne nuk kishim tjetër zgjidhje përveçse kryetarët të fillojnë punën në vendin e tyre.
Nëse kryetarët do të fillonin punën nëpër shtëpi private ky do të ishte betonim i strukturave paralele ilegale. Ne nuk mund t’u bëjmë struktura paralele strukturave paralele.
Pra, ishim në një situatë të vështirë, ku nuk kishim zgjidhje ideale, mirëpo megjithatë mendoj që kemi vepruar mirë dhe jemi shumë falënderues për gjithë ndihmën dhe mbështetjen që na e kanë dhënë dhe po na e japin.
Nganjëherë mund të ketë ndonjë dallim në qasje, nganjëherë mund të ketë ndonjë dallim në elemente taktike le të themi të operacioneve që zhvillojmë dhe për sa i përket vlerave, qëllimeve, interesave, bindjeve, vizioneve ne nuk kemi absolutisht asnjë dallim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian”, ka theksuar Kurti.
/rtsh.al/