Dikur rreth 50.000, sot afër 4.000 paqeruajtës të misionit të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), KFOR, vazhdojnë misionin e tyre në Kosovë.
Trupat e KFOR-it, që janë nga 27 shtete të botës, kanë për mandat që të ofrojnë mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.
Mandati i tyre buron nga rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e miratuar më 10 qershor 1999, një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes Teknike të Kumanovës.
Kjo marrëveshje parashihte tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare. Ajo u nënshkrua midis KFOR-it dhe autoriteteve të ish-Jugosllavisë, duke i dhënë fund bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe.
Numri i ushtarëve të KFOR-it në Kosovë ndër vite është zvogëluar, pas përmirësimit të situatës në veri. Por, pas rritjes në veri të Kosovës në fund të majit, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka njoftuar për rritjen e numrit të trupave, duke shtuar se numri i tyre mund të rritet edhe më shumë, për të qetësuar dhunën në veri.
Çfarë thotë rezoluta 1244 për misionin e KFOR-it?
Në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së thuhet se prania ndërkombëtare e sigurisë, e cila do të ketë pjesëmarrje të konsiderueshme të forcave të NATO-s, “duhet të vendoset nën një komandë dhe kontroll unik dhe të autorizohet për ta krijuar një ambient të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë si dhe ta lehtësojë kthimin e sigurt të te gjithë refugjatëve dhe të personave të zhvendosur në shtëpitë e tyre”.
Në rezolutë po ashtu thuhet se trupat ndërkombëtare kanë për mandat që të sigurojnë “tërheqjen [e trupave jugosllave] dhe parandalimin e kthimit të ushtrisë jugosllave në Kosovë, të policisë dhe forcave paramilitare”.
Po ashtu, aty thuhet se paqeruajtësit duhet të “çmilitarizojnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe grupet e tjera të armatosura të shqiptarëve të Kosovës”.