/

Shumë barna mungojnë për pacientët në RMV!

4 mins read

Mungesa e disa prej antibiotikëve, medikamenteve për tensionin e gjakut, epilepsisë e sëmundjeve auto-imune, ka shqetësuar pacientët të cilët tash e një kohë nuk po munden që terapitë e nevojshme t’i gjejnë nëpër farmacitë e vendit, dhe detyrohet që për të gjetur ilaçet e nevojshme të udhëtojnë në një nga vendet fqinje. Një paciente e cila vuan nga nefriti lupus thotë se edhe pse e ka terapi të rregullt, ajo askund nuk po mund të gjejë “Dekortin”. “Jo vetëm në vendbanimin tim, kam kërkuar edhe nga miq që jetojnë në qytete tjera pasi kjo është terapi e rregullt për mua dhe nuk di se çfarë do të bëj nëse nuk e pi. Për momentin po përdor kutinë e fundit që kam në shtëpi”, u shpreh ajo. Që ka probleme në importin e këtij medikamenti për në tregun maqedonas e konfirmoi edhe importuesi “Varus”.

“Po përballemi me ndalimin e dërgesave të planifikuara të medikamentit nga ana e prodhuesit. Për situatën e krijuar janë njoftuar edhe institucionet kompetente, si dhe jemi në komunikim të vazhdueshëm me prodhuesin që sa më shpejtë të ofrojë sasi të reja”, thanë nga Varus.

Nga ana tjetër, qytetarët ankohen edhe për mungesën e barnave për tensionin e gjakut dhe antibiotikëve. Në këtë periudhë të vitit e vështirë është që të gjendet edhe Ventolin, ilaç i cili përdoret nga astmatikët, si dhe nga pacientët me pengesa bronkiale. “Unë kam terapi të rregullt të tensionit të cilën nuk e gjej me ditë të tëra, ndërsa nipi u sëmur dhe nuk mundëm që të gjenim as edhe antibiotikun Zinnat”, tha kjo qytetare.

Që ka mungesë të barnave të caktuara e konfirmojnë edhe vetë farmacitë. “Shqetësuese është fakti që ilaçet nuk mund të gjenden as privat. Thjesht nuk kemi furnizim me disa antibiotikë, barna për tensionin e gjakut, terapitë për sëmundjet neurologjike, barna të caktuara të sëmundjeve auto-imune. Pacientët vijnë e kërkojnë një kuti më shumë ndërsa ne nuk mund t’i ndihmojmë”, u shpreh një farmaciste.

Nga Agjencia e Barnave “Malmed” thonë se për momentin nuk ka nevojë për panik pasi që situata në tregun e barnave po monitorohet nga afër. Drejtori i kësaj agjencie Lirim Shabani tha se tendenca me mungesën e barnave është pasojë e pandemisë së Kovid-19, luftës në Ukrainë, si dhe krizës energjetike.

“Mungesa e repro-materialeve dhe çmimet e larta të transportit ndikojnë në biznesin e shumë tregtarëve me shumicë, por edhe të kompanive që punojnë me barna. Malmed nuk blen barna, por ne mundohemi që të ndihmojmë në fushën që është nën kompetencat tona. Duke e ditur se e gjithë Evropa po përballet me mungesë të barnave, po përpiqemi që urgjentisht të shqyrtojmë dhe në masë të madhe të miratojmë kërkesat për importin e barnave, gjithmonë duke i kushtuar vëmendje rregulloreve ligjore dhe sigurisë se këtyre barnave”, sqaroi Shabani.

Nga mjekët kërkohet që zgjidhja me mungesën e barnave të bëhet menjëherë, pasi mostrajtimi në kohë mund të shkaktojë komplikime më të mëdha. “Nuk ka ilaçe, dhe gjendja çdo ditë e më shumë po përkeqësohet. Unë i dërgoj pacientët në Serbi, pasi disa nga ilaçet për epilepsi janë të disponueshme edhe në Kosovë e Serbi dhe kështu ata ia dalin mbanë. Nga ana tjetër ka një pjesë të pacientëve që janë të rritur dhe nuk duan të marrin një terapi tjetër përveç asaj që janë mësuar, ndaj edhe nuk pranojnë të ju shkruhet një recetë me ilaç zëvendësues”, theksoi Fatmir Asani, drejtor i Shoqatës së Mjekëve Amë në Kumanovë.

Sipas një analize të fundit të bërë nga Komisioni Evropian, edhe në vendet e BE-së viteve të fundit është vërejtur një trend në rritje për raportime të mungesës së barnave e cila pjesërisht mund t’i atribuohet globalizmit ekonomik dhe përqendrimit të prodhimit farmaceutik në vendet jashtë BE-së, siç janë Kina dhe India. Rezultatet e kësaj analize treguan se mungesa e barnave në vendet e BE-së për dallim nga vitet e kaluara, këtë vit është përkeqësuar ndjeshëm. Me mungesë barnash po përballet edhe Greqia, e cila ka paralajmëruar masa shtesë për përballje me situatën.

Në Bullgari po mendohet që të ndalohet eksporti i barnave për shkak të mungesës së dukshme të antibiotikëve, antipiretikëve dhe ilaçeve për tensionin e gjakut, e që mundësinë për ndalimin e eksportit po e shqyrton edhe Turqia. Situatë më alarmante është në Gjermani, ku sipas mediave të atjeshme ka mungesë të rreth 300 medikamenteve. Me mungesë barnash po përballet edhe Sllovenia, Hungaria dhe Italia. /koha/

Previous Story

Rama nderohet në Itali me “Urdhrin e Minervës”

Next Story

Kuvend, në rend dite zgjedhja e zëvendësministrave të rinj

Latest from Blog