Lajmi i fundit

Protesta e opozitës në 6 dhjetor/ Hasimja: Nuk është kundër BE. Opozita po shfrytëzon momentin

Politologu Ermal Hasimja, ka komentuar në Vizion Plus, protestën e opozitës të planifikuar për në 6 dhjetor, ditën kur në Tiranë do të mblidhen Samiti më i madh ndërkombëtar.

 

 

Sipas Hasimes protesta nuk është kundër BE por opozita po shfrytëzon momentin për të tërhequr vëmendjen e ndërkombëtarëve.

 

 

“Natyrisht që nuk është protestë kundër BE, është një gjetje e një momenti të përshtatshëm për disa nga ana e opozitës atëherë kur, gjithë vëmendja e Europës do të jetë në Tiranë. Qëllimi është një mënyrë e opozitës për të tërhequr vëmendjen për t’i prishur qetësinë edhe BE, në raport me rehatin që ata ndiejnë me qeverisjen në Shqipëri. Pavarësisht se është e qartë që kjo mund të ketë një kosto për imazhin e Shqipërisë, opozita ka të drejtën e vetë për të protestuar. Do të jenë rreth 1200 gazetarë atë e ditë në Tiranë e kështu që të gjitha kamerat do të jenë në dispozicion.”

 

 

Më tej politologu shtoi se nuk ka rëndësi figura e Sali Berishës në protestë por numri i qytetarëve që do të marrin pjesë.

 

 

“Nëse në protestë dalin 100 mijë shqiptarë atëherë nuk ka të drejtë njeri t’i heqi legjitimitetin protestës pavarësisht se është apo nuk është Berisha i pranishëm. Ky është edhe qëllimi që t’i tregohet BE pakënaqësitë e popullsisë ndaj qeverisjes.”

 

 

Sa i përket pranisë së aleatëve të PD në protestë, Hasimja tha se peshën më të madhe e mban Partia Demokratike dhe çështja është nëse do mundet të mbledhë të paktën përkrahësit demokratë.

 

 

Politologu foli edhe për primaret në Partinë Demokratike dhe vendimin për të dalë në zgjedhje me më shumë se një kandidat.

 

 

“Dalja në zgjedhje me më shumë se një kandidat do të sjellë të njëjtin problem si në zgjedhjet e kaluara por në përmasa pak më të vogla. PD që është sot në dorë të Berishës, ka ushtruar një lloj force për të grumbulluar ata njerëz që kanë mbetur pezull në PD pas largimit të Bashës. Problemi do të jetë më i vogël se në zgjedhjet e shkuara por kjo nuk zgjidh problemin që ka opozita më zgjedhësit.”