Lajmi i fundit

Xhaferi: Gjuha, shenjë identitare e një populli

Me rastin e shënimit të 114 vjetorit të Kongresit të Manastirit, nën patronatin e Zëvendëskryetarit të parë të Qeverisë, z. Artan Grubi është organizuar Akademi solemne në të cilën është promovuar videospoti i këngës “Kongresi i Manastirit”, interpretuar nga artisti Ilir Shaqiri. Para të pranishmëve fjalë rasti mbajti edhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

Produkti më i çmuar për një popull, Alfabeti i njësuar me të cilin shkruajmë, lexojmë dhe e përhapim gjuhën tonë, kulturën, zakonet, veçoritë dhe traditat folklorike dhe akoma më me rëndësi, alfabeti me të cilin lindi dhe e filloi rrugëtimin e vet lufta kombëtare e pavarësimit kulturor në rrafshin botëror, ishte mbështetje e fortë edhe e identitetit kombëtar dhe e pavarësimit politik të popullit shqiptar. Rrugëtim që kaloi nëpër shumë sfida dhe vështirësi, por në të njëjtën kohë korri suksesin e duhur dhe të pritur, ka theksuar mes tjerave Xhaferi.

Në vazhdim fjalimi i plotë:

Është kënaqësi që sot, në këtë Akademi solemne në kuadër të kremtimit të “Ditëve të Alfabetit”, kam nderin t’ju përshëndes në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal. Njëherazi, e shfrytëzoj rastin që tua uroj të gjithëve festën më të rëndësishme në historinë e zhvillimit politik e kulturor të shqiptarëve, ditën kur kremtojmë 114 vjetorin e Kongresit të Manastirit, tubimi ku u morën vendimet thelbësore që përbëjnë shtyllat që e determinuan drejtimin e popullit shqiptar në ardhmëri. Produkti më i çmuar për një popull, Alfabeti i njësuar me të cilin shkruajmë, lexojmë dhe e përhapim gjuhën tonë, kulturën, zakonet, veçoritë dhe traditat folklorike dhe akoma më me rëndësi, alfabeti me të cilin lindi dhe e filloi rrugëtimin e vet lufta kombëtare e pavarësimit kulturor në rrafshin botëror, ishte mbështetje e fortë edhe e identitetit kombëtar dhe e pavarësimit politik të popullit shqiptar. Rrugëtim që kaloi nëpër shumë sfida dhe vështirësi, por në të njëjtën kohë korri suksesin e duhur dhe të pritur. Po pra, gjuha, vegla më e fuqishme në ngritjen intelektuale, kulturore, artistike por mbi të gjitha, shenjë identitare e një populli ose, siç ka thënë poeti anglez Semjuel Tejllor Kolerixh (Samuel Taylor Coleridge) citoj:

“Gjuha është arma e mendjes njerëzore, dhe në të njëjtën kohë përmban trofetë e së kaluarës së saj dhe armët e pushtimeve të saj të ardhshme.”

Dhe, unë me të vërtetë besoj se gjuha na bashkon si komb, si ide dhe në të njëjtën kohë na mundëson bashkëpunim dhe natyrisht përparim dhe zhvillim kolektiv. Këtu e kam ndërmend edhe rajonin më të gjerë, gjegjësisht Ballkanin Perëndimor që është përcaktuar që moti në ndërtimin e shoqërive me vlera të pranuara universale për të drejtat dhe liritë e njeriut. Jemi në një anije, udhëtojmë drejt një caku dhe me rëndësi është të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë që ajo anije të mbajë baraspeshën e duhur. Posaçërisht tani kur rajoni dhe bota, pas krizës pandemike, ballafaqohet me krizën ekonomike dhe energjetike të shkaktuar nga lufta në Ukrainë. Arsye akoma më serioze për të bashkuar forcat, vullnetin e mirë  dhe veprat konkrete të solidarizimit me popullin ukrainas sepse, shqiptarët e kanë të njohur luftën, vuajtjen dhe drojën për jetën e më të dashurve.

Por, nuk kisha dashur që të ngarkoj këtë eveniment të bukur me mendime të zymta dhe andaj do të konstatoj se gjuhë është aq e pasur, aq e vlefshme, sa flitet, shkruhet, pasurohet dhe përhapet në botë dhe këtë do e bëjmë vetëm nëse vazhdojmë me bërjen e reformave për respektimin sa më të përpiktë të vlerave të pranuara universale, standardeve të cilat janë normë e natyrshme në familjen evropiane ku të gjithë ne synojmë të bëhemi së shpejti pjesë. Sepse, siç kam thënë edhe më para, kohërat ndryshojnë, diskursi ndryshon, por me rëndësi është që një gjë të jetë e njëjtë dhe e përbashkët, dhe ky është caku ose synimi ku duam të arrijmë, edhe atë të arrijmë bashkë, si komb, si shtete, si rajon.

Të dashur miq, më lejoni edhe njëherë të uroj Ditën e Alfabetit – Gëzuar 22 Nëntori!

Faleminderit për vëmendjen!