Lajmi i fundit

Kosova, teston forcat ndaj Armenisë që vjen me 6 debutues

Kombëtraja e Kosovës në orën 18:00, në stadiumi “Fadil Vokrri”, do të zhvillojë ndeshjen e parë në maujin nëntor, kur do të përballet me Armeninë, në një sfidë miqësore. Vetëm 3 ditë më vonë, Kosova sfidon Ishujt Faroe.

Në ndeshjen e fundit të zhvilluar, Kosova e mposhti Qipron me rezultat të thellë 5:1, kurse Armenia u mposht nga Irlanda me rezultat të ngushtë 3:2. Në gjashtë ndeshjet e fundit bilanc më të mirë të rezultateve ka Kosova, ku ka regjistruar tre fitore dhe tre humbje, krahas një fitoreje dhe pesë humbjeve të Armenisë.

Trajneri i Kosovës, Alen Zhires ka grumbulluar lojtarë kryesisht të rinj për ndeshjen e sotme, ku emrat me më shumë eksperiencë që janë ftuar janë Ibrahim Dresheviç, Lirim Kastrati dhe Lirim M Kastrati, kurse yjet si Milot Rashica, Vedat Muriqi dhe Amir Rrahmani nuk janë ftuar.

Po ashtu, edhe trajneri i Armenisë ka grumbulluar lojtarë të rinj në skuadër, ku flitet se gjashtë prej tyre mund ta bëjnë debutimin me kombëtaren armene në Prishtinë.