Lajmi i fundit

Australia fajëson rusët për vjedhjen e të dhënave shëndetësore

Zyrtarët australianë të premten kanë thënë se Moska duhet të japë llogari për hakerët rusë të akuzuar për sulmin kibernetik ndaj siguruesit më të madh shëndetësor të Australisë dhe publikimin e të dhënave personale mjekësore të klientëve.

Policia Federale Australiane po dyshon se hakerët rusë kanë dorë në krimin e pazgjidhur kibernetik, që rezultoi në vjedhjen e të dhënave personale të 9.7 milionë klientëve aktualë dhe të mëparshëm të kompanisë “Medibank”.

Komisioneri i policisë federale australiane, Reece Kershaw, ka thënë se dyshojnë që një grup hakerësh që veprojnë si një biznes në Rusi, është përgjegjës për sulmin ndaj kompanisë “Medibank” si dhe të tjerave sulme të kësaj natyre anembanë botës.

“Ne besojmë se e dimë se cilët individë janë përgjegjës, por unë nuk do t’i emëroj ata”, është shprehur Kershoë para gazetarëve. “Ajo që do të them është se ne do të flasim me organet e zbatimit të ligjit në Rusi, rreth këtyre individëve”, ka theksuar Kershow.

Kryeministri i Australisë, Antoni Albanese, i cili është klient i “Medibank”, ka theksuar se kishte autorizuar policinë të zbulonte se nga kishte ardhur sulmi.

“Ne e dimë se nga vijnë, ne e dimë se kush është përgjegjës dhe themi se ata duhet të japin llogari”, ka thënë Albanese.