Veturat e policisë me pajisje inteligjente, polici: Tejkalimet e shpejtësisë kapen në distancë deri në 250 metra

0
22

Nëse bëni shkelje të kufizimit të shpejtësisë në trafik tani tiketa e dënimit do t’u vijë deri tek dera e shtëpisë, kjo pasi që nga fillimi i shtatorit Policia e Kosovës ka filluar patrullimin me veturat inteligjente.

Përmes pajisjeve të veçanta do të mundësohet shqiptimi i gjobave në mënyrë digjitale për shkelësit e kufizimit të shpejtësisë.

Polici Adem Beka, për Telegrafin shpjegoi funksionimin e këtyre pajisjeve dhe mënyrat se si përdoren ato.

“Për momentin sistemi funksionon vetëm si matës i shpejtësisë, me këtë e bëjmë zonën kufizimit të shpejtësisë. Në zonën ku jemi momentalisht në rrugën magjistrale Prishtinë- Mitrovicë, është 80 km/h. Toleranca është vetëm 10 km/h. Këtu mundemi me i pa kundërvajtjet të cilat janë. Për momentin vetura nuk po  e njeh asnjë kundërvajtje, këtu po ashtu bëhet leximi i targave, që janë para veturës, prapa dhe anash. Këtu janë kundërvajtjet që janë regjistruar gjatë ditës së sotshme me veturën tonë. Kjo është një njoftim ose alarm i cili tregon se vetura që ka qenë në përball kalim me neve e ka bërë një tejkalim të shpejtësisë. Zona ku është 80 km/h ka vozitur 95 km/h”, tregon ai.

Vetura inteligjente e Policisë së Kosovës me pajisjet dixhitale për shkeljet e kufizimit të shpejtësisë

Sipas Bekës, me këto pajisje mund t’i dëshmohet atij/asaj, për shkeljen e kufizimit të shpejtësisë që e ka bërë pasi, në momentin kur tejkalohet shpejtësia pajisja e fotografon veturën dhe e xhiron gjithashtu.

“Përveç që mundemi me e pa si foto, ne mundemi me e pa edhe si video. Nëse pala ka pakënaqësi ose nuk pajtohet me dënimin, kjo është argumenti. Ne mundemi me e printua foton si PDF dhe të dhënat e targës gjithashtu, që me e njoftua palën me gabimin e bërë”, tha Beka.

Momenti kur pajisja e policisë kap një automjet që e shkel kufizimin e shpejtësisë në magjistralen Prishtinë – Mitrovicë

Se nuk ka nevojë për kalibrime shtesë sikurse ka ndodhë me radarët e mëparshëm, e thotë edhe vetë Beka, sipas tij deri në 200 ose 250 metra në largësi, kjo pajisje e kap shkelësin.

“Përafërsisht  200 deri 250 metra mundet me e kap ky radar veturën, kalibrimi i kësaj veture bëhet, në mënyrë automatike, nuk ka nevojë për kalibrime shtesë sikurse i kemi pasur radarët e rëndomtë”, deklaroi Beka për Telegrafin.

Si duket një tiketë e printuar nga pajisja inteligjente e Policisë së Kosovës

Polici Beka, thotë se njerëzit po e ngadalësojnë shpejtësinë kur po e shohin në rrugë veturën inteligjente të shpejtësisë, mirëpo përkundër kësaj sipas tij ka numër të madh të tiketave të shqiptuara.

“Sa kemi mundur ta vërejmë kemi një numër të madh të shqiptimit të tiketave. Mirëpo mund te them se njerëzit kanë filluar të vetëdijesohen sepse po e njohin veturën. Po ruhen shumë më shumë tash dhe si po e shohin veturën po e koordinojnë shpejtësinë e lëvizjes, kjo pasi vetura i regjistron shkeljet e shpejtësisë në të dy anët e trafikut”, deklaroi ai.

Vetura inteligjente e Policisë së Kosovës

Kurse mënyra e dërgimit të dënimit për shkelësin dërgohet ose me postë deri në adresën e shtëpisë së tij, ose i jepet në dorë nga zyrtari policor.

“Gjatë patrullimit me veturë, nëse ka shkelje nga veturat që janë duke lëvizur në drejtimin tonë, po i ndalim dhe po ua shqiptojmë gjobën. Nëse veturat që janë përballë në kalim, dorëzohen tiketat dhe së bashku me printim verifikohen në sistemin e policisë me të dhënat që i ka, njoftohet pala dhe gjoba ose tiketa i shkon në adresën e tij të vendbanimit ”, përfundoi ai.

Rreshteri Adem Gollubovcin në një intervistë për Telegrafin

Në anën tjetër rreshteri Arsim Gollubovci për Telegrafin, thotë se edhe pse është në fazë testuese automjeti, po ka efekt.

“Automjeti me pajisje inteligjente dhe funksionimin e saj, duke marr parasysh që automjeti është ende në një fazë testuese, ne mendojmë që në të ardhmen t’i fusim në funksion nenet dhe ligjet e kundërvajtjeve të tjera. Por për momentin jemi duke identifikuar me zyrtarët policorë në terren mangësitë e automjetit. Besoj që në të ardhmen do të jetë shumë efikase dhe do të ketë efekt më të madh”, tha ai.

Rreshteri Arsim Gollubovci dhe polici Adem Beka, duke shpjeguar përdorimin e pajisjes dixhitale

Rreshter Gollubovci, tregoi se për përdorimin e veturës inteligjente zyrtarët në Policinë e Kosovës janë trajnuar.

“Duke i pasur parasysh zyrtarët policorë të cilët e njohin teknologjinë më mirë, i kemi përzgjedhë ata, kështu që të gjithë zyrtarët policorë të cilët janë trajnuar nuk e kanë pasur vështirë përdorimin e këtij sistemi”, përfundon ai.

Në Policinë e Kosovës kanë thënë se gjatë ditëve të para të implementimit të këtij projekti do të ketë tolerime deri në lidhjen e plotë të teknologjisë me databazën.

Këto pajisje nuk lejojnë që gjobat të kthehen prapa ndërsa të tilla që janë përdorur në rajon kanë arritur të identifikojnë deri në 8 mijë kundërvajtje brenda një dite. Sipas rreshterit Gollubovci momentalisht nëpër territorin e Kosovës janë duke operuar rreth pesë vetura të tilla inteligjente. /Telegrafi/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here