​Kurti takoi studentët e mbështetur financiarisht nga MASHTI për studime jashtë vendi

0
47

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci kanë pritur sot në takim studentë nga universitetet më prestigjioze në botë, të mbështetur me bursa nga MASHTI.

Sipas njoftimit, në takim u theksua puna e vazhdueshme e Qeverisë për zgjerimin e mundësive për të rinjtë e veçanërisht për studentët, për zhvillim e punësim.

“Me këtë rast u veçua vendimi i Qeverisë për arsimin e lartë publik pa pagesë për të gjithë në nivelet bachelor dhe master, si dhe ndarja e mbi 3.000 bursave për studentët e dalluar për studime brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në komunikatën për media.

Po ashtu, u fol për domosdoshmërinë e mbylljes së hendekut gjinor në shkencë, ndërsa u theksua ndarja e 1.365 bursave për vajzat dhe gratë studente të fushave STEM.

“Duke ritheksuar se përkrahja për të rinjtë nuk do të ndalet, u tha se me këto vendime synohet të nxitet interesimi për studime të larta, përmirësimin e nivelit të përgjithshëm arsimor të popullsisë, duke kontribuar në zhvillimin e kapitalit njerëzor, si parakusht për zhvillim ekonomik dhe progres shoqëror”.

Në vazhdën e këtyre masave, MASHTI tashmë ka shpallur thirrjen publike për mbështetje financiare për studentët që këtë vit janë regjistruar apo vijojnë studimet e nivelit master në universitetet më prestigjioze në botë sipas listës “Times Higher Education”.

“Përparësi do të kenë studentët që studiojnë në fushat e inxhinierisë dhe të teknologjisë informatike e komunikimit, aplikuesit me gjendje më të dobët socio-ekonomike, personat me aftësi të kufizuara, si dhe aplikantët, të cilët studimet paraprake në nivelin bachelor i kanë përfunduar në institucione publike”, thuhet tutje.

“Për të rritur përfaqësimin e grave në mesin e studiuesve, gratë do të zgjidhen me preferencë në rastet e kualifikimit të barabartë të kandidatëve gra dhe burra”. /Telegrafi/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here