Komisioni Hetimor për Energjinë nuk e voton listën “politike” të propozuar nga VV-ja, opozita e lëshon mbledhjen

0
16

(E plotësuar) Është shtyrë për një ditë tjetër mbledhja e Komisionit Hetimor për Energjinë, i cili do të hetojë proceset vendimmarrëse në këtë sektor për periudhën 2006-2022, pasi partitë opozitare nuk e kanë votuar listën e propozuar nga Armend Muja, për t’i ftuar si dëshmitarë, raporton Ekonomia Online.

Armend Zemaj, Time Kadriaj, Rashit Qalaj dhe Rrezarta Krasniqi nuk u kthyen pas pauzës 10 minutëshe që mori ky komision.

Armend Zemaj, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, gjatë mbledhjes theksoi se lista e propozuar nga deputetët e Vetëvendosjes që janë pjesë e këtij komisioni është politike.

Ai e ka kritikuar listën e propozuar nga Muja, duke thënë se kjo listë nuk po fillon nga “kreu” por nga “bishti”.

“Propozoj që ministrat e linjës të mos të anshkalohen, si ministrat e ekonomisë që janë drejtpërdrejt të lidhur me çështjen. Mendoj që duhet t’ia fillojmë nga kreu, e jo nga bishti. Sepse drejtorët janë ata që, tek e fundit, kanë zbatuar vendime që kanë ardhë nga ndonjë ministër”.

“Mua si deputet, më intereson kush e ka çuar dorën me e pagu rrymën në veri. Mua nuk më duhet se kush e ka lëshu rrymën teknikisht”.

Kurse, Time Kadriaj nga AAK-ja tha se një listë e tillë duhet të krijohet nga vetë komisioni dhe jo hulumtime të veçanta që kryejnë partitë.

“Ne kemi kërkuar që të votohet lista e kaluar, me kushtin që të shtohen edhe njerëz të tjerë. Mos të bëjmë hetime individuale, partiake. E marrim një dokument, fillojmë prej vitit 2006, dhe shkojmë me rend, sepse në këtë mënyrë po kthehemi në pikën zero”.

Muja iu përgjigj kritikave të opozitës duke thënë se kjo listë nuk është politike e as e pretenduar kundër ndonjë personi.

“Nuk kemi pretendime kundër asnjë personi,
por arsyeja është se këta persona kanë pasur dorë në vendimmarrje”.

Ndryshe, Armend Zemaj, për t’i ftuar në këtë komision propozoi: ish-ministren e Energjisë Justina Shiroka-Pula dhe ish-ministrin e Financave Bedri Hamza.

Përpos dy ish-ministrave, Muja ka propozuar të ftohet si dëshmitarë edhe ish-drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Arben Gjukaj.

Pastaj në lidhje me vendimmarrjen e ZRRE-së, deputeti i VV-së, Armend Muja, ka propozuar të ftohet edhe ish-kreu i Bordit të KEK-ut, Berat Rukiqi, i cili qe disa vite udhëheq Odën Ekonomike të Kosovës. Po ashtu, ai ka propozuar ftesën për drejtorin e KEDS-in, biznesmenin turk, Alpin Dogan.

Edhe kryetari i këtij komisioni pati një kërkesë – që të shtohen në listën për hetim të gjithë anëtarët e bordeve dhe kryeshefat ekzekutiv të institucioneve relevante.

“Unë propozoj të shtohen të gjithë anëtarët e bordit dhe kryeshefat ekzekutiv”.

Ndërsa, deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, kërkoi që të shtohet në listë edhe Haki Abazi.  

Për një orë e gjysmë sa zgjati mbledhja, pati akuza e kundërakuza ndërmejt pozitës e opozitës.

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike u formua me kërkesë të opozitës për të hetuar pretendimet për keqpërdorim dhe keqmenaxhim nga Qeveria Kurti që ndau mes tjerash 100 milionë euro për subvencionim të rrymës së shtrenjtuar. Por, mazhoranca e dominuar nga Vetëvendosje insistoi që hetimet të shtrihen edhe në periudha të mëhershme.

Deputeti i VV-së propozon që Thaçi e Veseli të dëshmojnë në Komisionin Hetimor për Energjinë

Ish-ministrja e Energjisë, Justina Shiroka-Pula dhe ish-ministri Bedri Hamza, tash kryetar i Komunës së Mitrovicës, janë ftuar në cilësinë e dëshmitarëve nga Komisioni Hetimor për Energjinë, i cili do të hetojë proceset vendimmarrëse në këtë sektor për periudhën 2006-2022.

Listën e të ftuarve e ka bërë të ditur anëtari
i Komisionit Hetimor, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja.

Por deputeti i VV-së, Arbër Rexhaj, ka kërkuar që listës së dëshmitarëve t’i shtohen edhe dy emra. Ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentari, Kadri Veseli, kanë qenë dy propozimet e deputetit të VV-së.

“Të futet në listë Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli”, kërkoi Rexhaj.

Kësaj kërkese, i është kundërpërgjigjur kryetari i këtij komisioni, Hajdar Beqa.

“Nëse mundet kryeministri Kurti me i marrë nga Haga dhe me i sjellë këtu, atëherë ne po pajtohemi”.

“Siç duket ju keni formu komision për çështje politike e për me e neutralizu krizën energjetike të vitit 2021”.

Lista e propozuar nga Muja nuk është shqyrtuar
dhe votuar ende nga Komisioni Hetimor.

Kryesues i këtij komisioni është deputeti Hajdar Beqa nga PDK-ja. Anëtari tjetër nga kjo parti është edhe Rashit Qalaj.

Nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), anëtarë të këtij komisioni janë deputetët Armend Muja, Haki Abazi, Arbër Rexhaj, Halil Thaçi (zëvëndëskryesues i Komisionit) Armend Muja.

Ndërsa nga LDK-ja anëtarë janë Armend Zemaj dhe Rezarta Krasniqi. Nga AAK-ja anëtare është deputetja Time Kadrijaj. Prej Listes Serbe (LS) anëtar është Ljubinko Karadziq, si dhe nga grupi multietnik anëtare është Duda Balje.

No description available.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here