18.8 C
Skopje

Në Ditën e Fitores mbi Fashizmin, kthimi te Gebelsi!

Nëntë Maji nuk është date e rëndomtë. Ajo është Dita e Fitores mbi Fashizmin. Sepse, më 9 maj të vitit 1945, Gjermania naziste nënshkroi kapitullimin, fill pasi më 30 prill, “kapitullimin” ia kishte “nënshkruar” vetvetes me plumb në kokë fyhreri gjerman, Adolf Hitleri. Rol vendimtar në luftën kundër nazizmit patën forcat aleate, bashkë me Ushtrinë e Kuqe të Bashkimit Sovjetik, i cili konsiderohet se dha më shumë se 27 milionë viktima për këtë qëllim.

77 vjet nga kjo ditë, që duhej të ishte kthesë për një botë më të mirë, 9 Maji shënohet me paradën tradicionale në Moskë, ku presidenti i Federatës Ruse, me fjalë dhe me vepra, për shumëçka na ktheu te bota para kësaj date të vitit 1945. Ose, si tha ministri britanik i mbrojtjes, Ben Vallas, “presidenti rus, Vladimir Putin dhe gjeneralët e tij, janë pasqyrë të fashizmit dhe tiranisë së para 77 viteve dhe invazioni në Ukrainë e çnderon të kaluarën ushtarake ruse”. Do të kishim shtuar: përdhos viktimat antifashiste që i dha vetë Rusia për një qëllim të ndritur. Aludimet për një lloj ngjashmërie historike me këtë situatë dhe ato të Luftës së Dytë Botërore, nuk janë pa bazë. Presidenti Putin në Sheshin e Kuq tha se Perëndimi paska përgatitur invazion ndaj Rusisë! Vallë, ku e ka parë?

Të përkujtojmë se Hitleri sulmin ndaj Polonisë e nisi me pretekstin e një “incidenti” kufitar ku gjoja ushtarë polakë e kanë sulmuar Gjermaninë! Ishin marrë civilë polakë, ishin veshur me uniforma ushtarake polake, dhe në territor të Gjermanisë i kishin vrarë gjoja në pusi nga forcat gjermane. Pastaj dihet gjithë historia e përgjakshme që përfshiu botën.
Edhe tash Putini akuzon perëndimin për diçka që asnjëherë s’do ta bënte, sulm të sajuar në propagandën e tij. Si pretekst. Gjermania e Hitlerit nënshkroi me Bashkimin Sovjetik një pakt(Molotov-Ribentrop) për mos sulm ndaj njëra tjetrës, por që kjo nuk i pengoi Hitlerit që ta sulmonte Bashkimin Sovjetik për ta zënë në befasi. Edhe Rusia për ta sulmuar Ukrainën, shkeli marrëveshjet Rusi-Ukrainë, me të cilën Rusia, duke pranuar pavarësinë e Ukrainës, ia mori kokat bërthamore dhe u bë garant i sigurisë së saj!

Për më tepër, deri në ditët e fundit, kur gjithë bota e shikonte se si Rusia grumbullon forcat në kufi të Ukrainës, presidenti Putin thoshte se Rusia mund të bëjë ç’të dojë në territor të vetin. Pra, se nuk ka ndërmend të intervenojë. Doli e kundërta. Pra, nëse këto veprime nxjerrin paralele midis veprimeve të Hitlerit, atëherë me propagandën si kjo se Perëndimi paska përgatitur invazion, për nazifashizmin ukrainas, ose me pohimet se forcat ruse janë të përmbajtura për të mos bërë krime ndaj civilëve (ndërsa shkatërrojnë qytete të tëra, shkolla, si kjo e fundit në Luhansk, si dhe qindra e mijëra civilë të vrarë zbulohen pasi largohen forcat ruse nga ndonjë qytet), atëherë vijmë te segmentin kryesor në të cilën bazohej nazizmi hitlerian, te propaganda që udhëhiqte ministri i tij, Gebels, prej të cilit edhe e ka marrë emrin dukuria e përsëritjes së gënjeshtrave që të duken si të vërteta.
Pikërisht teza se agresioni në Ukrainë, qenka bërë që t’i kundërvihen agresionit, se NATO-ja paska bërë plane për anektimin e Krimesë, siç tha presidenti rus në Sheshin e Kuq në Moskë, është një imitim i shkollës së Gebelsit!

Ja, kjo është Rusia sot, e cila, njësoj si para vitit 1945, Hitleri deshi të realizojë supremacionin ndaj Evropës duke u bazuar në makinerinë ushtarake dhe propagandën gebelsiane.

TË FUNDIT

Detajet nga programi milionësh i MCC-së për Kosovën

Bordi Ekzekutiv i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) ka miratuar Programin Kompakt me Kosovën në vlerë prej mbi 200-milionë dollarësh, kanë konfirmuar Qeveria...

Drejtori i Shoqatës së Mullistëve: Ka grurë nuk duhet të ketë frikë

Drejtori i Shoqatës së Mullistëve, Muhamet Farizi, ka deklaruar se Kosova nuk rrezikon të mbesë pa grurë dhe se qytetarët nuk duhet të kenë...